1.5 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Buy now

spot_img

Policët që 3 muaj pa shtesa të rrezikshmërisë: “Nëse s’dalin me pagën e majit, fillojmë me veprime sindikale”

Më 28 shkurt, mbi 80 mijë punëtorë të sektorit publik i kanë marrë pagat e para me Ligjin e ri për Paga, që ka hyrë në fuqi më 5 shkurt. Ministria e Financave dhe ajo e Punëve të Brendshme kanë deklaruar se shtesat do të paguhen në mënyrë retroaktive, mirëpo, policëve nuk u janë paguar shtesat e rrezikshmërisë. Nëse këto shtesa nuk ekzekutohen me pagën e muajit maj, kryesindikalisti, Imer Zeqiri, paralajmëron veprime sindikale.

Qysh prej hyrjes në fuqi të Ligjit të ri të Pagave, policëve të Policisë së Kosovës, nuk u janë paguar shtesat e rrezikshmërisë. Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, në një bisedë me Gazetën Express, ka thënë se nëse shtesat nuk ekzekutohen me pagat e muajit maj, do të ndërmarrin veprime sindikale.

“Shtesat e rrezikshmërisë prej që kanë filluar të paguhen pagat me ligjin e ri të pagave, nuk i kanë ekzekutuar për Policinë e Kosovës, asnjë muaj, edhe pse kanë premtuar çdo muaj. Ne kemi lëshuar një komunikatë për media dhe i kemi bërë me dije Qeverisë që nëse edhe këtë muaj, me pagën e muajit maj, nuk do të ekzekutohen, do të fillojmë me veprime sindikale. Jemi duke u përgaditur, të shohim se si do t’ia dalim”, tha Zeqiri.

Ai bëri të ditur se grupi punues ka dorëzuar nivelet e rrezikshmërisë në Ministrinë e Financave, por nuk është bërë ekzekutimi i shtesave.

Zeqiri deklaroi se nuk kanë informacione se pse po ndodh një gjë e tillë.

“Që tre muaj kanë thënë se do t’i paguajnë në mënyrë retroaktive edhe për shtesën e rrezikshmërisë, Ministria ka thënë se të formohet një grup punues brenda menaxhmentit policor, i cili e ka kryer punën e vet dhe në mes të marsit e ka dorëzuar nivelet e rrezikshmërisë në Ministri duke e arsyetuar çdo nivel të rrezikshmërisë në Polici, por ata nuk e kanë bërë ekzekutimin. Nga ana jonë gjithçka ka shkuar në rregull, ata po arsyetohen që nuk kanë mundur ta bëjnë kalkulimin e tyre. Në këtë kohë, me këtë sistem të avancuar, ato bëhen për 1 orë jo për 3 muaj. Por nuk kemi informacion të saktë se pse nuk po ndodh kjo, nuk kemi përgjigje konkrete prej tyre”, tha ai për Express.

“…në mënyrë retroaktive”

Në fund të muajit prill, Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë dalë me një komunikatë të përbashkët.

Dy ministritë kanë thënë se të gjithë zyrtarët publik diferencën do ta marrin në mënyrë retroaktive për të gjithë muajt që nga hyrja në fuqi e ligjit për paga në sektorin publik.

“Edhe gjatë muajit prill, komisioni për shtesën për kushte specifike ka pranuar një numër të lartë kërkesash nga zyrtarët publik, dhe me qëllim që të evitohen gabimet, të gjitha kërkesat janë duke u shqyrtuar me kujdes dhe për këtë ende nuk ka përfunduar puna e komisionit. I njoftojmë të gjithë zyrtarët publik se pas përmirësimeve diferencën do ta marrin në mënyrë retroaktive për të gjithë muajt që nga hyrja në fuqi e ligjit për paga në sektorin public”, thuhet në komunikatë.

Ankesa te Avokati i Popullit

Që nga hyrja në fuqi e Ligjit të ri të Pagave, shumë institucione i janë drejtuar Institucionit të Avokatit të Popullit.

Sipas kryeministri Kurti, me ligjin e ri, polici i lartë paguhet 392 euro, rreshteri 440 euro dhe kapiteni 546 euro. Mirëpo me këto paga nuk janë të kënaqur policët. Për këtë, te Avokati i Popullit është ankuar edhe Sindikata e Policisë e Kosovës.

“Ankesat kanë ardhur nga sektorë të ndryshëm, si auditorë të brendshëm, zyrtarët komunal të arsimit të Komunës së Prizrenit, Shoqata sindikale e shërbimit sprovues të Kosovës, Instituti Kosovar i Drejtësisë (IKD), infermierët, mjekët që punojnë në Ministrinë e Shëndetësisë, laborantë të lartë mjekësor, Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës, Sindikata e Policisë së Kosovës, Komisioni Qendror Zgjedhor, Qendra për pajisje të dokumenteve, Shoqata e Instrumentarëve të Kosovës, Komisioni i Pavarur i Mediave, Zyra e Rregullatorit të Energjisë, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës Ekspertët në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit, etj.”, thuhej në përgjigjen e IAP.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img