Vetëm në vitin e kalur, Kosova humbi 211 mjekë ndërsa që nga fillimi i këtij viti janë larguar 96 mjek të ri, e deri në fund të këtij viti parashihen të largohen mbi 250 të tillë.
Për Gazetën Demos, Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu thotë se është shqetësuese largimi i mjekëve të cilët jashtë vendit shumë lehtë punësohen.
“Gjatë këtyre muajve të vitit 2023 nga Kosova janë larguar 96 kolegë mjek të ri, pra këta kolegë kanë marr certifikatën për të kaluarën e tyre etiko-profesionale, dokument i cili ju duhet për punësim dhe anëtarsim në odat respektive të shteteve ku ata do punësohen”, thotë Sejdiu.
E pas liberalizimit të vizave, Sejdiu thotë se do të ketë edhe më shumë stimulim të largimit të mjekëve në veçanti në shtetin gjerman.
“Liberalizimi i vizave si proces do të lehtësojë procedurat e largimit gjegjësisht punësimit, por edhe shumë lehtësi për bashkime familjare të ofruara në këtë rast nga shteti gjerman do stimuloj largimin”, thotë Sejdiu për Gazetën Demos.
Ky largim i mjekëve nga Kosova sipas Sejdiut vije si pasojë e kushteve të vështira në cilat ata po punojnë dhe me dispozita ligjore që janë diskriminuese dhe paragjykuese për ta.
“Kushtet e punës në Kosovë janë të vështira si ato infrastrukturore, të pajisjeve dhe në veçanti siguria ligjore pothuajse nuk egziston. Po ashtu egzistojnë një varg dispozita ligjore që janë diskriminuese dhe paragjykuese ndaj këtij profesioni”, thotë ai.