Prishtina dhe Gjilani kanë barazuar pa gola në kuadër të javës së 33-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Ndeshja më mirë filloi për vendasit, kur rrezikuan me anë të Shefit Shefitit në minutën e 15-të, mirëpo goditja e tij u devijua nga mbrojtja mysafire.
Mërgim Pefqeli testoi Enea Koliçin në minutën e 28-të nga distanca, por gardiani i Gjilanit ishte i vëmendshëm.
Pefqeli (31’) provoi edhe një herë fatin, mirëpo kësaj radhe topi përfundoi jashtë.
Edhe Hyseni e kishte të njëjtin fat në minutën e 41-të, pasi gjuajti jashtë.
Pjesa e dytë ishte disi më e heshtur nga të dyja anët, ndërsa pati një karton të kuq.
Arbnor Ramadani pranoi edhe kartonin e dytë të verdhë, duke e lënë Gjilanin me dhjetë lojtarë në fushë nga minuta e 78-të.
Kryeqytetasit nuk ia dolën të shfrytëzonin këtë epërsi numerike, duke ndarë kështu pikët në fund me mysafirët.
Pas javës së 33-të, Gjilani vazhdon të jetë në vendin e tretë me 51 pikë, ndërsa Prishtina në të katërtin me 44 sosh, aq sa ka edhe Dukagjini.