Me organizim të Komunës së Podujevës dhe shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, në ditën e dëshmorëve në “Kompleksin Memorial të Dëshmorëve” në Penuhë u bë rivarrimi i pesë dëshmorëve, Fadil Talla, Haki Rekaliu, Hasan Veliu, Shaban Behrami dhe Rasim Zeka, të rënë në periudha të ndryshme të historisë në angazhimin e tyre për lirinë e Kosovës.
Në këtë ceremoni rivarrimi morën pjesë figura të shquara të luftës çlirimtare, veprimtarë të çështjes kombëtare, përfaqësues të institucioneve, garda e FSK-së dhe familje të dëshmorëve.
Në fjalën para të pranishmëve kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi foli për rolin e pakontestueshëm të UÇK-së për lirinë e Kosovës, si dhe nderoi me fjalët më të zgjedhura dëshmorët që ranë në luftën për liri.
Poashtu kryetari Bulliqi tha se si përfaqësues të institucioneve e si qytetarë të Kosovës obligohemi shumë para gjithë atyre dëshmorëve e martirëve që sakrifikuan jetën e tyre për lirinë e atdheut, duke u udhëzuar për punë të mira në shërbim të qytetarëve dhe interesave kombëtare.
Fjalë rasti në këtë ceremoni mbajtën edhe gjenerali Kadri Kastrati dhe përfaqësues të shoqatave të luftës në nivel qendror dhe lokal.