Në mbledhjen e katërt të ZRrE-së është vendosur gjobë prej 3.2 milionë euro për Korporatën Energjetike të Kosovës.
Mbledhje kjo e cila ishte shtyrë, e nuk u mbajt vetëm një ditë pas arrestimit të Shefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.
Sipas komunikatës së lëshuar nga ZRrE, KEK-u gjobit me 3.2 milionë euro e KOSTT, me 439 mijë euro.
KOMUNIKATË
Seanca e katërt (IV) e Bordit të ZRRE
Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), ka mbajtur sot seancën e tij të IV-të me radhe për këtë vit.
Në këtë seancë, janë aprovuar kërkesat për vazhdimin e Licencës për furnizim me energji elektrike të ndërmarrjes Future Energy Trading and Exchange Dynamics dhe Licencës për furnizim me shumicë (tregtim) të energjisë elektrike të ndërmarrjes Danske Commodities Kosova, si dhe është miratuar kërkesa për dhënie të Licencës për furnizim me energji elektrike të ndërmarrjes Sharrcem.
Në këtë seancë, pas shqyrtimit përfundimtar të raporteve të monitorimit, Bordi ka vendosur gjobë ne vlerën prej 3.2 milion euro per Korporatën Energjetike të Kosovës dhe 439 mijë euro për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT).
Po ashtu në këtë seancë, Bordi ka shqyrtuar dhe miratuar propozimin për korrigjimin e vendimeve V_1680_2023 dhe V_1681_2023 lidhur me kontestin e ngritur nga Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT) ndaj Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) dhe Furnizuesit me Shërbim Universal (KESCO).
Në këtë seancë, Bordi ka shqyrtuar dhe miratuar 15 kërkesa të konsumatorëve për autorizim për vet-konsum nga të cilat 4 vijnë nga ndërmarrjet dhe 11 nga personat fizik me gjithsej 268 kË.
Pjesë e shqyrtimit nga Bordi kanë qenë edhe disa ankesa të konsumatorëve dhe çështje të tjera që ndërlidhen me funksionimin e sektorit si dhe të Zyrës së Rregullatorit për Energji.
Të gjitha vendimet e Bordit të ZRRE do të publikohen në faqen elektronike zyrtare të ZRRE.
Çka kishte ndodhur?
Çka ndodhi?
Zyra e Rregullatorit për energji, në mbledhjen e katërt të tyre për këtë vit do të shqyrtonte 21 pika të rendit të ditës. Pika e shtatë, sipas njoftimit të lëshuar nga vet kjo zyrë, kishte të bënte me shqyrtimin/vlerësimin e propozimit për Masë Administrative dhe Gjobë për KEK-un.
Gazeta Nacionale përmes burimeve të saj ka mësuar se gjoba për KEK-un, po përgatitej për shkak të tregtisë së energjisë nga kjo kompani me kompani të pa licencuara. Në zhurmën e skadnalit tashmë të njohur që lidhet me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, e me arrestimin e shefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, kjo gjobë nga ZRrE-ja, duket se do të jetë një tjetër goditje për sistemin energjetik në vend.
Në njoftimin zyrtar për shtyrje të mbledhjes nuk është treguar asgjë.
“Njoftojmë se mbledhja e paraparë që të zhvillohet sot, datë 20.04.2023, ora 10:00, e Bordit të ZRRE-së, do të shtyhet për një ditë tjetër.”, është thënë në njoftim.
Nacionale ka dërguar pyetje drejt Zyrës së Rregullatorit, për të mësuar më shumë në lidhje me pikën 7-të.
“Sa i përket pikës 7 te agjendës së Bordit, që ka të bëjë me shqyrtimin e raportit përfundimtar të Monitorimin për Korporatën Elektroenergjetike (KEK), ju informojmë se ky Raport së bashku me përgjigjet e dhëna ndaj gjetjeve gjatë fazës së monitorimit do të shqyrtohet nga Bordi në mbledhjen e radhës të Bordit. Në përputhje me dispozitat ligjore dhe afatet kohore, pas shqyrtimit të raportit nga Bordi, raporti do te publikohet në faqen zyrtare të ZRRE-së.” është thënë në përgjigjen e ZRRE-së.
Dosja e prokurorisë për Nagip Krasniqin
Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë kërkesë që kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit, t’i caktohet paraburgimi prej 30 ditësh dhe një pjesë e dyshimeve tanimë janë zbardhur.
Paraburgimi u dha me arsyetimin se ka rrezik ndikimi në dëshmitarë e prova nga Krasniqi.
Në dosjen e Prokurorisë të cilën e ka publikuar një pjesë grupi Koha, thuhet se Krasniqi dyshohet për dy kontrata të dëmshme. Njëra me kompaninë “Litëin SA” që kishte vlerë rreth 3.5 milionë euro për kaldaja në bllokun A5.
Tjetra në vlerë prej 60 mijë eurosh për konsulencë ligjore.
Sipas dosjes, dyshimet janë që shefi i prokurimit Ymer Dragusha ishte urdhëruar ta nënshkruante kontratën edhe pse ka pasur rekomandim nga komisioni lidhur me anulimin e tenderit. Kjo pasi kompania nuk po iu përmbahej kushteve.
Si rezultat, është dëmtuar buxheti i Korporatës Energjetike të Kosovës.
KEK-u në një reagim para pak kohësh ka deklaruar se për riparimin e kaldajës së njësisë A5 kontrata në fjalë ishte anuluar më 20 mars 2023 dhe kjo korporatë “nuk ka pasur asnjë shpenzim financiar”.
Krasniqi po dyshohet për veprat penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”, për “keqpërdorim i autoritetit e pozitës zyrtare” si dhe për “konflikt interesi”.