Policia ka arrestuar dy të dyshuar për vrasjen e 58-vjeçarit që ka ndodhë me 26 mars në fshatin Dumnicë të Podujevës.
Bëhet fjalë për arrestimin e 35-vjeçarit me inicialet B.S, dhe 22-vjeçarit me inicialet I.S. Për këtë të parin, Prokuroria ka paraqitë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.
Këtë informacion e dha për Gazetën Express zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.
“Lidhur me këtë rast, Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit B.S., për shkak të veprave penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas KPRK-së, ndërsa hetimet do të vazhdojnë të zhvillohen edhe në drejtim të pandehurit I.S.,”, tha Ulaj.
Tutje, e njejta shtoi se motivi i vrasjes mbetet i panjohur aktualisht.
“Aktualisht, motivi i kryerjes së këtij akti mbetet i panjohur, derisa në koordinim me Policinë janë duke vazhduar hetimet deri në ndriçimin e plotë të kësaj çështjeje”, përfundoi ajo.
Të dyshuarit, fillimisht janë ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit të shtetit.