Agjencia e lajmeve “KosovaPress” ka raportuar sot duke u thirrur në burime se strukturat paralele ilegale serbe kanë filluar përgatitjen për të penguar qasjen në objektin e Komunës së Zubin Potokut, ku pritet të betohet kryetari i ri, Izmir Zeqiri.
Por, ky i fundit e ka mohuar një gjë të tillë. Në një prononcim për Gazetën Express, Zeqiri ka thënë se sipas informatave që ka marrë nga organet e sigurisë, është duke u meremtuar rruga afër objektit të komunës.
“Sipas organeve të sigurisë është duke u meremetuar rruga afër objektit të komunës. Nuk ka diçka që lidhet me politikë”, ka thënë Zeqiri.
Ndryshe, deri më 28 maj, kryetarët e rinj të katër komunave në Veri, kanë afat të japin betimin, në të kundërtën e humbasin mandatin. Vuçiq ka kërcënuar me krizë në Veri duke kërkuar negociata për këtë çështje në takimin e ardhshëm teknik që pritet të mbahet gjatë këtij muaji. BE ka kërkuar që kryetarët të mos betohen fare ndërsa Kosova konsideron se kjo kërkesë nuk mund as të parashtohet.