Deputeti Haki Abazi, i cili është larguar nga Lëvizja “Vetëvendosje”, ka thënë se lajmin për largimin e tij e mësoi nga mediat . Abazi për “Indeksonline”, ka thënë se nuk është njoftuar nga partia për largimin e tij.
“Absolutisht unë nuk jam njoftuar për largimin tim nga partia. Lajmin e kam mësuar nga mediat. Kjo po vazhdon si në rastin e kryetarit të komisionit, pa raport të punës, pa vërejtje pa asnjë kritikë. E njëjta është bërë dhe në këtë rast. Kjo veç po e vërteton formën jo demokratike të mekanizmave të vendimmarrjes”, tha ai.
Abazi më tej ka thënë se as nuk e di se në çfarë forme është marrë një vendim i tillë dhe se dëshiron të dij se në çfarë mënyrë është marrë vendimi.
” Le të tregohet se në cilin organ partiak është marrë vendimi. A në kryesi, a në këshill a në Grup parlamentar. Kush ka marrë vendim për këtë çështje. Ku është zhvilluar diskutimi e debati për gulfatje demokratike të një zëri ndryshe. Të tregohet. Nuk po pyes më shumë, veç po pyes kush e ka marrë vendimin dhe me çfarë mekanizmi demokratik. A është bërë me vota. Në çfarë forme është bërë, ku është shtruar kjo çështje”, tha ai.