Skuadra e basketbollit Peja do të udhëtojë në Mitrovicë për ndeshjen e parë të serisë finale të plejofit, që nis të mërkurën mbrëma. Peja ka vendosur të udhëtojë, edhe pse aspak nuk është e kënaqur me vendimet e fundit në lidhje me përparësinë e terrenit vendas. Te klubi pejan thonë se kanë vendosur të luajnë vetëm për shkak të qytetarëve të Pejës dhe Mitrovicës, përkatësisht për të mos e prishur edicionin në Superligën e Kosovës, e jo që janë detyruar nga Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK).
Në fakt FBK-ja ia ka bërë me dije Pejës se nëse nuk udhëton për ta luajtur ndeshjen atëherë do të eliminohet nga garat. Këtë e ka konfirmuar të martën kryetari i klubit Peja, Fatmir Gashi, për Kohën. Gashi e ka vlerësuar tërësisht të padrejtë vendimin e Komisionit Arbitrar, i cili konstatoi se epërsia e terrenit vendës në serinë finale i takon Trepçës, ekip që ishte pas Pejës në edicionin e rregullt.
Nëpërmjet këtij vendimi të publikuar të martën, Komisioni Arbitrar ka shfuqizuar vendimin e Komisionit të Garave të FBK-së, i cili të hënën kishte njoftuar që Peja ka përparësinë e terrenit, me ndeshjen e parë që do të luhej në palestrën “Karagaçi”. Megjithatë, seria do të nisë të mërkurën mbrëma në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, ndërsa sipas Gashit, vendimi i Komisionit Arbitrar është në kundërshtim të plotë me propozicionet e garave.
“Ne do të udhëtojmë në Mitrovicë pasi jemi të detyruar vetëm për shkak të qytetarëve të Pejës dhe atyre të Mitrovicës. Vendimi i Komisionit Arbitrar jo vetëm që është i çuditshëm, por në kundërshtim edhe me propozicionet e garave. Jemi të habitur dhe sigurisht të mllefosur që ky komision merr një vendim të tillë, ndonëse një ditë më herët Komisioni i Garave ka caktuar orarin siç është i paraparë me propozicione. Kjo është krejtësisht e pakuptimtë”, ka theksuar Gashi.
Sipas Gashit, Komisioni Arbitrar vendimin e tij e ka bazuar në edicionin 2020/21 ku ishte një situatë e ngjashme. Ai vlerëson se edhe atëbotë ishte bërë shkelje por që nuk kishte reaguar askush, në këtë rast Golden Eagle Ylli.
Peja në edicionin 2020/21 e kishte fituar përparësinë e terrenit vendas edhe pse edicionin e rregullt e kishte përfunduar në pozitën e katërt, përfundi Yllit. Peja në serinë gjysmëfinale kishte eliminuar Ponte Prizrenin, ekip që ishte kampion i edicionit të rregullt, për ta fituar përparësinë e terrenit. Ngjashëm si Peja, edhe Trepça në gjysmëfinale ka eliminuar kampionin e edicionit të rregullt, Sigal Prishtinën.
“Komisioni Arbitrar na ka thënë se ka pasur parasysh se në sezonin 2020/21 është bërë një gjë e tillë dhe këtë e ka përdor si pretekst në vendimin e tij. Por, atëherë është bërë gabim dhe tani po veprohet në të njëjtën mënyrë. Në atë sezon nuk ka reaguar askush, përfshirë as Yllin që në fund u shpall kampion”, shtoi Gashi.
Edhe pse Peja do të udhëtojë për të luajtur në Mitrovicë, kjo nuk do të thotë se e ka pranuar vendimin e Komisionit Arbitrar. Gashi ka zbuluar se pejanët do të ankohen në Komisionin e Arbitrazhit Sportiv (KAS), pranë Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) si dhe në njërën prej gjykatave kompetente. Ai insistoi se Peja do ta dërgojë deri në fund këtë rast, pavarësisht se çfarë ndodhë dhe kush e fiton titullin e kampionit të Kosovës.
Madje, Gashi tha se Peja kishte kërkuar që të shtyhet seria e ndeshjeve deri në një vendim përfundimtar, por që është refuzuar nga FBK-ja.
“Sigurisht që do të ankohemi, por vetëm në KAS dhe në njërën prej gjykatave përkatëse. Ne tashmë kemi përgatitur ankesën ndaj vendimit të Komisionit Arbitrar dhe do ta dërgojmë këtë çështje deri në fund, pavarësisht se finalet do të zhvillohen. Ne kemi kërkuar që ndeshjet të mos nisin deri në vendimin e shkallës së dytë, por nuk na është lejuar nga FBK-ja, që ka thënë se do të humbim”, shprehet Gashi, i cili pati edhe një porosi të qartë për FBK-në. “Nëse e fitojmë rastin dhe konfirmohet që kemi pasur të drejtë, atëherë e kam një lutje për federatën, që komplet të japë dorëheqje, për shkak se ka humbur kredibilitetin”.
Në fund, Gashi ka insistuar se Peja nuk ka asgjë kundër Trepçës dhe se në fund le të fitojë më i miri. Peja dhe Trepça janë skuadrat finaliste të dy sezoneve të fundit por që janë mposhtur nga Ylli. Peja është në kërkim të titullit të parë që nga viti 2013, ndërsa Trepça nuk është shpallur kampione prej vitit 2012.
“Të detyruar jemi të luajmë vetëm për shkak të qytetarëve dhe këtë le ta dinë të gjithë. Po ashtu nuk kemi asgjë kundër Trepçës, pasi raportet mes klubeve janë shumë të mira. Publiku i Mitrovicës dhe ai i Pejës meritojnë të shohin një finale të tillë dhe le të shpallet kampion më të miri”, shtoi Gashi. “Përkundër kësaj, ne jashtë parketit do t’i shkojmë deri në fund kësaj çështjeje”.