Ëndrra e një ure që lidh pjesën tjetër të Italisë me Siçilinë, përmes ngushticës së Mesinës, shkon pas në kohët romake. Asokohe mendohet se konsulli Metellus bashkoi fuçi dhe dru për të zhvendosur 100 elefantë lufte nga Kartagjena në Romë në vitin 252 p.e.s. Që atëherë, ka pasur plane të shumta për mënyrën se si mund të kalohet më lehtësisht ky kanal, duke përfshirë edhe idenë për një tunel. Nëse realizohet projekti për një urë, ajo do të shndërrohej në urën më të gjatë të varur në botë.
Në vitin 2006, oferta për ndërtimin e urës iu dha një konsorciumi të drejtuar nga firma italiane Salini Impregilo, sot WeBuild. Kur qeveria e Berlusconit iku atë vit, planet për të ndërtuar urën ranë, pasi kryeministri i ardhshëm, Romano Prodi, e konsideroi atë një humbje parash dhe një rrezik për mjedisin. Por muajin e kaluar, qeveria e Giorgia Melonit vendosi të ringjallte planin e vjetër.
“Ura mbi ngushticën e Mesinës është një projekt që mund të nisë menjëherë. Sapo kontrata të rivendoset, projekti mund të fillojë. Projektimi ekzekutiv pritet të zgjasë tetë muaj, ndërsa koha e nevojshme për ndërtimin e urës do të jetë pak më shumë se gjashtë vjet”, tha për CNN drejtori inxhinierik i WeBuild, Michele Longo.
Kostoja e projektit llogaritet të jetë 4.5 miliardë euro vetëm për urën dhe 6.75 miliardë euro për infrastrukturën nga të dyja anët e urës. Kjo e fundit përfshin përmirësimin e akseve rrugore dhe hekurudhore, ndërtimin e terminaleve dhe kryerjen e punës përgatitore në tokë e në shtratin e detit, për të reduktuar rreziqet hidrogjeologjike gjatë ndërtimit.
Sfida me mafien dhe relievin
Planet duken konkrete dhe të qarta, por sfidat janë komplekse. Italia e jugut është e prirur ndaj korrupsionit dhe dy sindikata kryesore të krimit të organizuar, “Ndrangheta” kalabriane dhe “Cosa Nostra” siçiliane, janë shpeshherë të përfshirë në mënyrë të infiltruar në projektet e ndërtimit. Arrestimi i kokës së Cosa Nostra-s, Matteo Messina Denaro, pas 30 vitesh, përfaqësoi një fitore. Denaro ishte kundër ndërtimit të urës, siç janë edhe disa bosë të tjerë mafiozë, pjesërisht sepse sindikatat e krimit të organizuar ushqehen me varfërinë dhe moszhvillimin.
Pavarësisht kësaj, frika mbetet. Gjasat janë që pjesë nga ky projekt të bien nën kontrollin kriminal dhe për rrjedhojë komunitet në këto zona lokale të kërkojnë nga shteti para dhe mbrojtje. Megjithatë, qeveria e Melonit ka siguruar se kompanitë më të mira italiane, europiane dhe botërore do të angazhohen në këtë projekt madhor, duke garantuar përmes organeve mbikëqyrese që çdo euro të investohet në këtë urë.
Mirëpo, përpos kësaj problematike, ekzistojnë edhe disa probleme gjeofizike që mund të jenë edhe më të vështira për t’u përballur. Ngushtica e Mesinës shtrihet përgjatë një linje thyerjeje tektonike, ku një tërmet 7.1 në vitin 1908, vrau më shumë se 100.000 njerëz dhe shkaktoi një cunami që shkatërroi zonat bregdetare në të dyja anët kalabreze dhe siçiliane. Mbetet ngjarja sizmike më vdekjeprurëse e regjistruar në Evropë deri më sot.
Gjithashtu, ujërat janë të turbullta dhe rrymat shumë të forta. Sipas planit origjinal të WeBuild, ura do të ndërtohet për t’i bërë ballë erërave deri në 300 kilometra në orë. Do të ketë tri korsi automjetesh në çdo drejtim dhe linja treni në mes. Sipas planit aktual, 6000 makina dhe kamionë mund të kalojnë çdo orë dhe 200 trena mund të kalojnë çdo ditë
Ura do të jetë rreth 74 metra mbi nivelin e detit dhe do të lejojë anijet e mallrave dhe ato më të larta të lundrojnë nën të. Ura gjithashtu do të projektohet për t’i bërë ballë një tërmeti me magnitudë 7.5 ballë, pak më i fortë se ai shkatërrues i vitit 1908.
Vetëm faza e ndërtimit do të kontribuonte me 2.9 miliardë euro në PBB-në kombëtare dhe do të punësonte 100.000 njerëz, shumica e të cilëve do të vijnë nga rajonet e Siçilisë dhe Kalabrisë, ku normat e papunësisë janë të larta.
Shkatërruese për jetën e egër
Kritikat nuk kanë munguar as nga ambientalistët që kanë argumentuar prej kohësh se ura do të jetë shkatërruese për terrenin dhe jetën e egër.
“Ngushtica e Mesinës, është një vend shumë i rëndësishëm kalimi për zogjtë dhe gjitarët detarë, si dhe dallon për një biodiversitet shumë të pasur. Ndaj ndërtimi i kësaj ure do të shkatërronte rrugët e migrimit të kafshëve midis Afrikës dhe Europës”, deklaroi grupi ambientalist Legambiente.
Opinioni publik në të dyja anët e ngushticës mbetet i paqartë. Një pjesë mendojnë se pavarësisht këtyre sfidave, ura do të zhvillonte shumë tregtinë, ekonominë dhe turizmin. Ndërsa të tjerë janë kategorikisht kundër, duke mos e pasur aspak problem që Siçilia të mbetet në një farë forme e izoluar. Gjithsesi, ura nuk ka qenë asnjëherë kaq afër ndërtimit saç është tani, pasi Meloni nënshkroi dekretin për t’i hapur rrugë zbatimit të planeve konkrete.