Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka shkruar se kryeministri Albin Kurti po pushon “jo vetëm festave, jo vetëm në fundjavë, por 365 ditë”, ndërsa punëtorët marrin paga të ulëta e përballen me shkelje të të drejtave.
Molliqaj ka shkruar se si kryeministri që dikur mbështeste punëtorët, sipas tij, tash është miqësuar me pronarët e kompanive.
“Ndërkohë që kryeministri pushon, dispozitat e Ligjit të Punës shkelen çdo ditë nga pronarët e mëdhenj. Pronarët me të cilët kryeministri jonë është miqësuar. Kur ishte në opozitë takohej e afrohej me sindikatat, sot i shanë e sulmon ato. Paga minimale mbetet e njëjtë. Pagë që nuk i del punëtorit me e kalu as gjysmën e muajit. E inflacionit qeveria iu përgjigj me manipulime të shifrave. Tha që i rriti pagat, e bankomati tregoi që u ndalën shtesat”, shkroi Molliqaj.
Ai përmendi nevojën për rezistencë, pasi nē të kundërtën sipas tij “klasa punëtore do të vazhdojë të shtypet e nëpërkëmbet”.
“Një jetë e dinjitetshme do të duhej të bëhej edhe në Kosovë, nëse Kryeministri nuk do të pushonte 365 ditë”, shkroi ndër tjerash Molliqaj.
Postimi i plotë i Dardan Molliqajt:
Ishte Viva la Revolución, u bë Viva la Vida!
Një punëtore që e mirëmbanë zyren e Kryeministrit të Kosovës paguhet 185 euro në muaj. Polici blen çizmet vetë, e minatorët punojnë 800 metra nën sipërfaqen e tokës me helmeta t’thyme. Infermierët e mjekët punojnë pa mjetet e domosdoshme në spitale ku pikë tavani. Punëtorët e marketeve nuk pushojnë as në festa, as në fundjava, e rojet e sigurisë punojnë në kabina 1 metër katror n’zhegun e ftohtin ma t’madh, gratë vazhdojnë të punojnë pa kontrata.
Kryeministri në pushim. Pushim jo vetëm festave, jo vetëm në fundjavë, por 365 ditë. Për këtë arsye ne sot e kemi ilustruar qasjen e Kryeministrit përballë punëtorëve. Ajo është pushim, qejf e rahati.
Ndërkohë që kryeministri pushon, dispozitat e Ligjit të Punës shkelen çdo ditë nga pronarët e mëdhenj. Pronarët me të cilët kryeministri jonë është miqësuar. Kur ishte në opozitë takohej e afrohej me sindikatat, sot i shanë e sulmon ato. Paga minimale mbetet e njëjtë. Pagë që nuk i del punëtorit me e kalu as gjysmën e muajit. E inflacionit qeveria iu përgjigj me manipulime të shifrave. Tha që i rriti pagat, e bankomati tregoi që u ndalën shtesat.
Punëtori i Kosovës nuk ka sigurim shëndetësor e nuk është i siguruar nga rreziqet që sjellë tregu. Aksidenti në punë apo edhe një sëmundje si kanceri ia rrezikon atij dhe familjes së tij ekzistencën. Përditshmëria e tij është ankthi i humbjes së punës dhe zhytjes në varfëri.
Punëtori i Kosovës nuk po ia del me këto kushte të punës. Dhjetra mijëra u larguan në dy vitet e fundit. Të tjerët do të vazhdojnë të neglizhohen nëse nuk organizohen. Kjo qeveri e ka dëshmu që është në gjatësi valore veç me të pasurit, veç me oligarkët. Andaj, ne jemi të bindur që klasa punëtore do të vazhdojë të shtypet e nëpërkëmbet nëse nuk organizohet në rezistencë.
Nëse pronarët nuk e ulin fitimin kur rritet inflacioni; Nëse qeveria nuk e rritë presionin tek pronari, neve na mbetet ta rrisim solidaritetin e rezistencën. Pa rezistencë këta do ta kenë pushim 365 ditë në vit.
Një punë e dinjitetshme kërkon një sërë të drejtash që do të ishin bazë për të ardhmen dhe sigurinë e çdo punëtori. Një punë e dinjitetshme nuk reduktohet me transaksionin e lëmoshës që mirret në formë page. Një jetë e dinjitetshme do të duhej të bëhej edhe në Kosovë, nëse Kryeministri nuk do të pushonte 365 ditë./PrishtinaPress/