Dy persona kanë pësuar lëndime trupore, me ç’rast iu është ofruar edhe trajtim mjekësor, si pasojë e një rrahje mes disa personave që ka ndodhur sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, për Ekonomia Online ka bërë të ditur se lidhur me këtë rast janë shoqëruar për në Stacionin Policor shtatë persona, të cilët dyshohet se janë përfshirë në rrahje.
“Sot kemi pranuar informatën për një rrahje në APN, ku kanë qenë të përfshirë disa persona, prej të cilëve dy persona kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtëve u është ofruar trajtim i nevojshëm mjekësor. Lidhur me këtë rast nga njësitet policore të Lipjanit në stacion janë shoqëruar shtatë persona që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në rrahje”, ka thënë Ahmeti.