Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka kërkuar që të bëhet durim sa i përket Francës, ani pse kjo e fundit sot i vazhdoi për një muaj qëndrimin në këtë shtet, liderit të AAK-së, Ramush Haradinajt.
Haziri është shprehur se duhet t`u thuhet “jo” mllefit dhe kërcënimeve ndaj institucioneve.
Sipas tij, Kosova duhet të vazhdojë ta dojë Francën, sepse nuk duhet të lejojë që të krijohet urrejtje për shkakun e Serbisë, përcjellë Indeksonline.
“Sot, më 2 mars, në ditën e Lidhjes së Lezhës, sinonim i kombit të bashkuar dhe themelimit të shtetit të parë, duhet mbi të gjitha të tregojmë durim politik e angazhim unifikues që më 6 prill ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, të kthehet në Prishtinë, në atdheun e tij, në familjen e tij. Por, duhet t’i themi jo mllefit, kërcënimeve e shantazheve ndaj institucioneve. Në anën tjetër, vazhdojmë ta duam Francën dhe nuk guxojmë ta urrejmë për shkak të Serbisë. Këtë po e duan ata që po bëjnë teftera për arrestime!”, ka shkruar ai.