Gjatë ditës së premte u zhvilluan ndeshjet gjysmëfinale të “Final 4” në Ligën Ballkanike.
Hapoel Beer Sheva/Dimona dhe Peja, skuadrat që ishin më të mirat edhe gjatë sezonit të rregullt, pa ndonjë problem e siguruan kalimin për në finale.
Skuadra izraelite eliminoi skuadrën nga Mali i Zi, Milenijum Kodion, duke e mposhtur me rezultat 123:72.
Në anën tjetër, pejanët triumfuan ndaj nikoqirëve, Beroe, me shifrat 124:82.
Dita e sotme (e shtunë) do të jetë pushim për skuadra pjesëmarrëse të këtij “Final 4”, teksa ndeshjet e fundit për këtë sezon do t’i zhvillojnë të dielën.
Finalja e madhe mes Hapoelit dhe Pejës do të zhvillohet nga ora 18:30, sipas kohës tonë lokale – 19:30 sipas kohës në Stara Zagora të Bullgarisë.
Gjatë sezonit të rregullt të Ligës Balllanike, skuadra nga perëndimi i Kosovës ishte mposhtur në të dy ndeshjet nga izraelitët, por tani skuadra e drejtuar nga Rami Hadar shpreson që të jetë “e treta e vërteta”, në mënyrë që të rikthehet me trofe nga Bullgaria. Për Pejën është hera e parë që ndodhet në finale të kësaj lige.
Të dielën gjithashtu do të zhvillohet edhe ndeshja për vendin e tretë, mes Beroes dhe Milenijum Kodio, nga ora 16:00./PrishtinaPress/