Një debat për sistemin prokurorial u hap kur pushteti vendosi ta sulmojë kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj pas arrestimit të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi para një jave.
Nga ky debat është neveritur Elez Blakaj, ish-prokurori special që kishte dhënë dorëheqje para pesë vjetësh për t’u larguar drejt Amerikës. “Sa më pak të flitet dhe komentohet për ‘drejtësinë’, aq më shumë reforma do të kemi”.
Ish-prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Elez Blakaj, i cili kishte dhënë dorëheqje para pesë vjetësh, është nxitur të reagojë pasi ditët e fundit pati një debat publik, edhe në Kuvend, për Prokurorinë dhe reformat në sistemin e drejtësisë.
Deputetët diskutuan të mërkurën në lidhje me arrestimin e kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi. Opozita i ndërlidhë me Qeverinë akuzat me të cilat po përballet Krasniqi, ndërsa pas arrestimit të tij, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj u vu në qendër të sulmeve nga kryeministri Albin Kurti dhe deputetët e partisë në pushtet.
Blakaj u shpreh i neveritur nga niveli i debatit të fundit në Kuvendin e Kosovës, studiot televizive e disa media.
“E neveritshme të dëgjosh nivelin e debatit në Kuvendin e Republikes së Kosovës, studio televizive dhe media të ndryshme duke folur për drejtësi, me theks të veçantë ata të cilët dje shanin e organizonin konferenca për shtyp e vraponin pas debateve në televizone të ndryshme, e sot na shesin moral – hipokrita klasik!”, shkroi Blakaj në Facebook.
Ai tha se pavarësisht “performancës së zbehtë të organeve të drejtësisë”, qytetarët duhet ta lajmërojnë çdo dyshim dhe të bashkëpunojnë ngushtë me organet e drejtësisë për t’u zbardhur rastet, pa marrë parasysh se për cilin njeri bëhet fjalë.
Blakaj thotë se “sa më pak të flitet dhe komentohet për ‘drejtësinë’, aq më shumë reforma do të kemi”.
“Është e dukshme dhe e kuptueshme se përfituesit më të mëdhenj nga e gjithë kjo rrëmujë janë të gjithë ata të cilët nuk janë të interesuar të ketë reforma në drejtësi. Madje të gjithë këta përfitues, lutën vazhdimisht që të ketë sa më shumë debate, tensione, komente dhe përplasje të tilla sepse kështu mbijetojnë! Andaj, sa më pak që flitet dhe komentohet për “drejtësinë”, aq më shumë reforma do të kemi!”, shkroi ai.
Ish-prokurori në fund iu bëri thirrje gazetarëve që të kërkojnë informacione për fatin e mijëra lëndëve që tha se janë të regjistruara si “penale të ndryshme”. Ai tha se është “e frikshme si trajtohën dhe çfarë fshihet aty”.
Në fushatën për zgjedhjet e parafundit parlamentare, Elez Blakaj ishte bërë pjesë e rëndësishme e diskursit të kryeministrit të tanishëm, Albin Kurti, i cili premtonte ta kthente sërish në Kosovë ish-prokurorin special, për ta vendosur atë në krye të institucionit më të lartë të ndjekjes në vend. Ardhja e Kurtit në pushtet nuk e ktheu Blakajn në Kosovë. Ai vazhdon të qëndrojë në SHBA, ku vendosi të shkojë pas largimit.
Kurti të enjten e kaluar i etiketoi si kundërshtarë prokurorët në një seancë të Kuvendit ku shprehu shumë indinjatë për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut.
Për kreun e Prokurorisë Speciale që urdhëroi arrestimin e Krasniqit, Kurti tha se nuk do të bëhet Kryeprokuror, ndërkohë që ai po pret një dekretim nga Presidentja.
“Prokurorët që vrasjen ta bëjnë vetëvrasje e vetëvrasjen ta bëjnë vrasje, përkundër vullnetit dhe qëndrimit të presidentes, kryeministrit dhe kryeparlamentarit, duan me çdo kusht, në çfarëdo rrethane, me patjetër të bëhen kryeprokuror. Por nuk do të munden. Nuk do të munden. Jo pse jam unë. Jo pse jeni ju. Por sepse në këtë shtet ka edhe Republikë, edhe popull”, ka thënë Kurti.
Kryeministri i quajti prokurorët “njerëz të cilët ende nuk janë pajtuar me rezultatin e 14 shkurtit 2021”.
Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha të mërkurën se Kosovës i duhet një kryeprokuror “që nuk e ka bishtin të zënë me derë”, duke u shprehur hapur kundër dekretimit të Isufajt, duke theksuar nevojën për reforma në sistemin e drejtësisë.
“Neve na duhet një Kryeprokuror i guximshëm që nuk e ka bishtin të zënë me derë, që nuk u shërben grupeve të interesit, por u shërben njerëzve”. Ajo tha se nuk mund që për 7 vjet mandat të ketë Kryeprokuror “që është i paaftë, që nuk e ka dërguar asnjëherë asnjë lëndë të mirë përpara”.
Prokurori i cili e kishte përpiluar aktakuzën, Elez Blakaj, pati dhënë dorëheqje në vitin 2018 për të shkuar më pas në SHBA. Nga atje, ai pati thënë se kishte pranuar kërcënime sa kishte qenë duke hetuar disa raste të dyshuara për manipulime me listat e veteranëve të UÇK-së.
Në fushatën për zgjedhjet e parafundit parlamentare, Blakaj ishte bërë pjesë e rëndësishme e diskursit të Kurtit, i cili premtonte ta kthente në Kosovë ish-prokurorin special.