3 C
Pristina
Wednesday, November 6, 2024

Buy now

spot_img

Rexhepi: Arrestimi im, urdhër direkt nga politika

Hashim Rexhepi, ish-guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës, i arrestuar e më pas i liruar, ka ndërlidhur arrestimin e tij me “konfrontimet” dhe “mospajtimet” me politikën e asaj kohe.

Sipas tij, gjithçka ka qenë në përpjekjet e pushtetit të asaj kohe, që “të kapeshin institucionet e pavarura”. Atë kohë, kryeministër i Kosovës ishte Hashim Thaçi, e sipas Rexhepit, task-forca që e arrestoi i jepte direkt përgjegjësi kryeministrit.

“Në atë moment kohor kanë ndodhur disa gjëra që kërkoheshin peshqit e mëdhenj dhe si duket politikës i ka konvenuar që unë të jem ai, pasi bartja funksionin e guvernatorit të BQK-së. Mirëpo pati varg çështjesh ku ne patëm mospajtime të mëdha, për çështje të caktuara, kur për bindjen time, politika që ishte në pushtet donte t’i merrte nën kontroll institucionet e pavarura, ndër to edhe BQK-në, ishte e interesuar t’i sillnin njerëzit e vet. Ma ka thënë në mënyrë të drejtpërdrejt, që i kam njerëzit e mi aty”, ka thënë Rexhepi.

Sipas tij, task-forca ishte instrument i politikës.

Rexhepi ka thënë se në atë kohë ka pasur interesa të ngushta të politikës për ta përfshirë “në punët kriminale”.

“Ishte ndërhyrje përmes njerëzve të tjerë. Ishim në një konferencë të BERZH-it në Londër ku mu aranzhua një takim që të takohem me këshilltarin e kryeministrit dhe ai hapi këtë debat që ‘BQK-ja investon kaq, kaq mjete, është mirë të investosh ku themi ne’, duke më treguar se do të kemi të gjithë përfitime nga kjo. Normalisht, e kundërshtova rreptë dhe për mua i thash është e papranueshme. Pastaj e kam vërejtur që pas një periudhe kohore kush qëndron prapa kësaj. Në një takim që patëm për politikat e investimeve të Trustit që në kohën e krizës globale financiare donin t’i kontrollonin nga Qeveria, edhe pse sipas ligjit për to është Bordi i Trustit, e kuptova përfundimisht se kush qëndronte prapa që të bisedonim për investimet”, ka thënë Rexhepi.

Sipas tij, pushteti i asaj kohe ka mundësi që ka menduar se mund të bëjë çka të dojë edhe në BQK.

“Politika atë kohë konsideroj se s’ka pasur njohuri shumë për funksionet e BQK-së dhe si funksionon sistemi. Ndoshta nganjëherë nga fuqia e pushtetit njerëzit konsiderojnë se mund të bëjnë çdo gjë. Por s’mund të jap gjykimet përfundimtare pse ka ndodhur kjo”, ka treguar ai.

Rexhepi ka shpjeguar edhe një rast kur ka thënë se ka pasur presion për licencime të kompanive të sigurimeve. Sipas tij, në këtë rast nuk ishte lejuar licencimi sepse aplikimi s’ishte konform standardeve.

Ish-guvernatori ka ndërlidhur ndikimin e politikës në BQK edhe me kërkesën e tij për kthim në vendin e punës, pas lirimit. Sipas tij, ai s’ka kërkuar kthim në pozitën e njëjtë, por “në BQK s’ka pasur gatishmëri të mundësohej kthimi”.

Rexhepi është shprehur i bindur se në rastin e tij sistemi i drejtësisë ka qenë i kontrolluar nga politika.

“Kam qenë i bindur edhe atëherë dhe sot mendoj që një pjesë të madhe, drejtësia ka qenë e kontrolluar prej qendrave politike, duke nisur nga policia hetuese, prokuroria e gjykatat. Në rastin tim jam i bindur se është e kontrolluar. Fati i madh ka qenë që edhe pse në fazën fillestare kur nisi gjithçka, ishin gjyqtarët vendorë, por fati i madh që në fazën e mëtejme gjyqtarët ishin të EULEX-it dhe po konsideroja se po vepronin pavarur. Në vendimin final isha i bindur se do të dilte pafajësia sepse s’kishte asgjë”, ka thënë ai duke shtuar se qysh në vendimin për arrestim ka pasur shkelje të kushteve.

Rexhepi ka treguar se qysh në momentin kur ishte arrestuar, polici i kishte thënë se është çështje politike.

“Në atë kohë, ishte krijuar Task-Forca anti-korrupsion dhe rasti i parë isha unë. Ajo i raportonte direkt kryeministrit. E di kur më çuan në paraburgim, isha në atë kombin e Policisë dhe kërkova nga policët të ma thirrin policin hetues dhe ai erdhi dhe nisa të bisedoj e a je i vetëdijshëm çka po bëni. Ai vetë më tha ‘bëhu i fortë se kjo është politikisht’. Do të thotë ishte i ndikuar nga politika të marrë këso veprime dhe të më arrestojë. I bindur 100 për qind se ishte rast i urdhëruar prej politikës”, ka thënë Rexhepi.

Prokurori i rastit të Rexhepit, Nazmi Mustafi, më pas ishte dënuar për përfshirje në korrupsion./PrishtinaPress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img