Gjykata e Apelit ka vërtetuar dënimin ndaj Driton Podrimçaku, i cili është dënuar me 6 vite burgim dhe 2 mijë euro gjobë për dy veprat penale “Fajde” dhe “Sulmi ndaj personit zyrtar”.
Sipas aktgjykimit të shpallur me 31 tetor 2021, Podrimçaku, është dënuar me 5 vite burgim dhe 2 mijë euro gjobë për veprën penale “Fajde”, kurse për veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, i njëjti është dënuar me 1 vit e 6 muaj, ndërsa u lirua nga akuza për veprën “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Gjithashtu ankesë ka ushtruar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Podrimçaku, avokat Kujtim Kërveshi, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së ligjit penal, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike si dhe vendimit mbi sanksionin penal duke propozuar që gjykata të ndryshojë aktgjykimin e ankimuar dhe të akuzuarin Driton ta lirojë nga akuza apo lëndën ta kthejë në rivendosje ne shkallën e parë.
Mirëpo Gjykata e Apelit ka vlerësuar se pretendimet ankimore nga ankesat e ushtruara nuk janë të bazuara, andaj i ka refuzuar të njëjtat dhe ka vërtetuar aktgjykimin e Themelores.
Kjo pasi që kolegji i Gjykatës së Apelit ka vlerësuar se aktgjykimi i Themelores është i qartë i bazuar dhe nuk përfshihet në shkelje esenciale të procedurës penale.
Në aktgjykim thuhet se kolegji i kësaj gjykate ka vlerësuar se aktgjykimi i Themelores është në proporcion me vërtetimin e plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike sepse nga ana e kësaj gjykate në mënyrë të qartë janë dhënë elementet se në veprimet e të akuzuarit Podrimçaku ka elemente të bollshme të ekzistimit të këtyre veprave penale.
Gjithashtu thuhet se Apeli nuk ka gjetur rrethana që përjashtojnë të akuzuarin nga përgjegjësia penale dhe ndjekja penale, raporton “ Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë më 23 gusht 2021, ngarkon të pandehurin Podrimçaku se nga muaji janar i vitit 2019 e në vazhdimësi deri më 14 prill 2021, në Pejë, ka kontraktuar shumë jo proporcionale të pasurisë ndaj të dëmtuarit Muhamet Berisha dhe duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të dëmtuarit, kishte përfituar 60 mijë euro nga i dëmtuari.
Sipas aktakuzës për një veturë të tipit BMW-X5, në vlerë prej 17 mijë euro, i dëmtuari nga 2019 për dy vite, çdo muaj kishte paguar në emër të fajdesë shumën prej 2 mijë euro, kurse në vitin 2021, në emër të fajdesë, i dëmtuari kishte paguar edhe 12 mijë euro, gjithsej i pandehuri dyshohet se në emër të fajdesë kishte pranuar shumën prej 60 mijë euro.
Me këtë, ngarkohej se ka kryer veprën penale të “Fajdesë”, nga neni 331, paragrafi 3, lidhur me par.1, dhe nenin 77 të Kodit Penal, për të cilën parashihet dënimi me gjobë dhe me burgim prej tre deri në 12 vite burgim.
I pandehuri akuzohej se më 13 prill 2021 në fshatin Vitomiricë në Pejë, ka sulmuar policin Shpejtim Tafili, derisa i njëjti kishte qenë duke i zbatuar masat e fshehta teknike të hetimit dhe vëzhdimit sipas urdhëresës së gjykatës.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri e godet me veturë të dëmtuarin derisa ky i fundit sinjalizon të ndalet.
Me këtë, njëjti akuzohej se ka kryer veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, nga neni 402, par.4 lidhur me par.2 dhe par.1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej një deri në tetë vite.
Po ashtu, i pandehuri akuzohej edhe për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, pasi i pandehuri duke lëvizur me veturë në mënyrë të pakontrolluar, kishte vënë në rrezik jetën e të dëmtuarit Veton Osmani dhe zyrtarëve tjerë policorë.
Me këtë, ai ngarkohej se ka kryer veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356, par.1, të Kodit Penal, vepër ku kryesi dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.