-5.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Krejt çka u fol dje për Kosovën në Këshillin e Sigurimit, Gërvalla u ankua se nuk u lejua të flasë shqip

Gjatë diskutimeve për raportin e ri gjashtëmujor për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ministrat e Jashtëm të Kosovës dhe Serbisë e akuzuan njëri-tjetrin se po e bllokojnë dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Në seancën që u mbajt në Nju Jork të SHBA-së dhe u kryesua nga Rusia, anëtarët e Këshillit të Sigurimit bënë thirrje që të arrihet marrëveshje në Bruksel dhe që të dyja palët të përmbahen nga nxitja e tensioneve.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se Serbia po tenton ta bllokojë integrimin e Ballkanit në Bashkimin Evropian dhe ta bllokojë progresin në dialog.

“Është e qartë që Serbia nuk do marrëveshje në dialog. Në të kundërtën, do ta pengojë çfarëdo marrëveshje sepse Serbia e 2023-tës nuk do më të anëtarësohet në Bashkimin Evropian”, tha ajo.

Në anën tjetër, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se në fjalimin e Gërvallës u vërejt se Kosova “nuk do në fakt një dialog. Ata duan vazhdimësinë e luftës, të konflikteve”.

Gjatë fjalimit të saj, Gërvalla përmendi krimet ndaj popullatës shqiptare gjatë luftës së vitit 1999 dhe e krahasoi luftën në Kosovë me pushtimin aktual rus në Ukrainë, teksa tha se “Serbia është kërcënimi më i madh për paqen në Ballkan”.

Daçiq kërkon themelimin e Asociacionit

Gjatë fjalimit të tij, Daçiq bëri thirrje që marrëveshjet e nënshkruara më parë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të implementohen.

“Është e nevojshme të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe sa më shpejt që të jetë e mundur sepse ky është mekanizmi i vetëm i mundshëm për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurinë e komunitetit serb në Kosovë”, tha Daçiq.

“Prishtina po e shmang qëllimshëm përmbushjen e këtij obligimi”.

Ai insistoi që Serbia “nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës” dhe gjithashtu kërkoi implementimin e plotë të rezolutës 1244 të OKB-së.

“Ju duhet ta anuloni, ose ta respektoni. Nëse ju nuk e respektoni [Rezolutën 1244], atëherë vihet në pyetje se pse ekziston OKB-ja”, tha Daçiq.

Rezoluta 1244, e miratuar në vitin 1999, ofroi një kornizë për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, duke autorizuar vendosjen e një pranie ndërkombëtare, civile dhe ushtarake. Ajo themeloi një administratë ndërkombëtare tranzitore dhe mbikëqyri tërheqjen e forcave ushtarake serbe nga Kosova.

Shefja e UNMIK-ut kërkon të mos përdoret retorikë nxitëse

Gjatë prezantimit të raportit për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziade, bëri thirrje për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe bëri thirrje që të dyja palët të përmbahen nga retorika nxitëse.

Ziade tha se gjatë vitit të fundit janë evidentuar sfida të ndryshme, “por edhe tentime për t’i afruar drejt normalizimit marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë”.

“Liderët duhet të marrin hapa të përgjegjshëm për t’i zvogëluar gjasat për ngecje në çështjet që kanë degraduar besimin publik gjatë muajve të fundit”, tha ajo, duke përmendur si shembuj tërheqjen e serbëve nga institucionet e Kosovës në veri dhe bojkotimit e zgjedhjeve të së dielës, 23 prill, nga serbët.

Ajo tha se tensionet mes Kosovës dhe Serbi jo vetëm që i kishin larguar dy palët nga tentimet për normalizim të marrëdhëniet përmes dialogut, por edhe i kishin vënë “afër skajit për konfrontim fizik”.

Duke folur për zgjedhjet në veri, Ziade theksoi se ato ishin paqësore, por “në të njëjtën kohë, pyetja e përfaqësimit duhet të adresohet si pjesë e procesit politik më të gjerë”.

Sipas Ziades, një hap përpara në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë mund të jetë miratimi i deklaratës për personat e pagjetur.

Ndërkombëtarët bëjnë thirrje për marrëveshje

Përfaqësuesi i SHBA-së, Jeffrey DeLaurentis, u shpreh i kënaqur me hapat e ndërmarrë nga Kosova dhe Serbia në takimet e fundit mes liderëve në Bruksel dhe Ohër, ndërsa shtoi se shpreson që të shohë vullnet të ngjashëm edhe në takimin e radhës të 2 majit.

“Ne i inkurajojmë Kosovën dhe Serbinë të lëvizin shpejt për t’i implementuar zotimet e tyre përkatëse dhe t’i shmangin krizat e përsëritura që e kanë penguar progresin në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja”, tha DeLaurentis.

Ai kërkoi themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “në një mënyrë që përputhet me Kushtetutën e Kosovës”.

Ndërsa, përfaqësuesit e Britanisë së Madhe dhe Francës shprehën përkrahje për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Franca bëri thirrje që të dyja palët të përmbahen nga veprimet që mund t’i përshkallëzojnë tensionet mes dy vendeve.

Përfaqësuesi i Britanisë së Madhe theksoi se “ne e përkrahim plotësisht përfshirjen e Kosovës në sistemin ndërkombëtar”, ndërsa bëri thirrje për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ne i inkurajojmë fuqishëm të dyja palët të demonstrojnë vullnetin dhe kurajën politike për t’i realizuar ato për të cilat janë pajtuar”, tha ai.

Përfaqësuesi i Rusisë, Vasily Nebenzya, e kritikoi ministren Gërvalla për deklaratat e saj lidhur me luftën në Ukrainë, duke thënë se kjo “nuk është çështje e Prishtinës”, ndërsa tha se ka një tentim të vazhdueshëm për largimin e serbëve nga Kosova.

“Qëndrimi i Rusisë për Kosovën mbetet i pandryshuar. Zgjidhja duhet të jetë në interesin e Beogradit dhe popullit serb dhe duhet të miratohet nga Këshilli i Sigurimit”, tha ai.

Gjatë fjalimit të tij, ai përmendi edhe gjykimin e ish-liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë. Ai tha se shpreson “që këta kriminelë të ndëshkohen siç e meritojnë dhe që Gjykata e Hagës nuk do t’i përsërisë gabimet katastrofike të Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë”.

Mandati i UNMIK-ut, në pikëpyetje

Gjatë fjalimit të saj, ministrja e Jashtme, Gërvalla, tha se raporti i prezantuar ka gabime dhe sa disa ngjarje të rëndësishme mungojnë, teksa shtoi se “këto mangësi nuk janë të reja”.

“UNMIK është bërë faktor destabilizues dhe nuk i shërben stabilitetit dhe paqes në rajon. Me këtë raport, e ka dokumentuar edhe se sa jo i domosdoshëm është bërë”, tha Gërvalla.

Edhe përfaqësuesit e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe thanë se duhet të rishikohet mandati i UNMIK-ut.

“Është koha që OKB-ja ta gjejë një rol më relevant në Kosovë. Ne duhet ta pranojmë që misioni e ka përmbushur që një kohë të gjatë mandatin e saj origjinal”, u shpreh përfaqësuesi i SHBA-së.

Ndërsa, përfaqësuesi i Kinës, Geng Shuang, tha se “çështja e Kosovës është ende problem sigurie për Ballkanin dhe Evropën. Kështu që, roli i UNMIK-ut mbetet i domosdoshëm”.

Gërvalla ankohet se nuk u lejua të flasë shqip

Ministrja e Jashtme e Kosovës tha se presidenti i Këshillit të Sigurimit për muajin prill, ambasadori rus Vassily Nebenzia, ia mohoi asaj të drejtën për ta mbajtur fjalimin e saj në shqip.

Nebenzia e mohoi këtë duke thënë se Gërvalla do të ishte lejuar të fliste në shqip nëse do të kishte insistuar dhe nëse nuk do ta kishte njohur asnjërën nga gjashtë gjuhët zyrtare të OKB-së.

Ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha, tha se “është qesharake të thuhet se është dashur të insistohet”, pasi tha se Kosova ka bërë kërkesë me shkrim për ta mbajtur fjalimin në gjuhën shqipe.

Hoxha shtoi se presidenca ruse e Këshillit të Sigurimit nuk u tregua e paanshme, në një deklaratë me të cilën më vonë u pajtua përfaqësuesi i SHBA-së, DeLaurentis.

Çfarë thuhet në raport?

Në raportin për raportin e ri gjashtëmujor për periudhën nga 16 shtatori 2022 deri më 18 mars 2023, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, përshëndeti Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksin e zbatimit të saj, për të cilin liderët e të dyja palëve së fundi arritën marrëveshje.

Guterres, në raport, vlerësoi se korniza e re e dialogut ka potencial për të çuar para procesin drejt arritjes së zgjidhjeve afatgjata.

Ai tha se angazhimi konstruktiv në zbatimin gjithëpërfshirës të Marrëveshjes do të jetë i nevojshëm për të ruajtur stabilitetin dhe për të parandaluar ripërtëritjen e tensioneve dhe konflikteve.

“Palët janë zotuar plotësisht t’i respektojnë të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe t’i përmbushin të gjitha detyrimet në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim. Kjo është edhe më e rëndësishme, sepse ngjarjet gjatë periudhës që u vëzhguan, sollën tensione në një nivel krize, duke rezultuar me ngecjen më serioze që nga fillimi i procesit të dialogut [ndërmjet Kosovës dhe Serbisë] në vitin 2011”, shkroi Guterres.

Ai shtoi se “retorika e intensifikuar dhe nxitëse nga të gjitha anët, vendosja e postblloqeve, incidentet e shumta të sigurisë dhe protestat në veri të Kosovës e kanë rritur rrezikun për dhunë”.

“Incidentet e natyrës etnike, përdorimi i armëve të zjarrit dhe lëndimet – si në mesin e civilëve, ashtu edhe në mesin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës – si dhe shënjestrimi i dukshëm i gazetarëve dhe aktorëve ndërkombëtarë të sigurisë, përbënin shqetësim të veçantë. Të gjitha palët duhet të tregohen të përmbajtura dhe të sigurojnë që të gjitha mosmarrëveshjet të zgjidhen në mënyrë paqësore nëpërmjet dialogut, jo përshkallëzimit[të dhunës]”, shkroi Guterres.

Çelësi i kthimit në institucione

Në raport, ku nuk janë përfshirë zgjedhjet lokale që u mbajtën javën e kaluar në katër komuna në veri të Kosovës, Guterres deklaroi se përparimi i mëtutjeshëm në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është “kyç për krijimin e kushteve për kthimin e përfaqësuesve serbë të Kosovës në institucionet e Kosovës në veri”.

Që nga miratimi i Rezolutës 12 44 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 10 qershor 1999, ky organ ka diskutuar për Kosovën katër herë në vit deri në vitin 2018.

Në vitin 2019 janë mbajtur tri seanca të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, ndërsa nga viti 2020 mbahen nga dy seanca në vit.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img