Gjatë seancës së sotshme Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, ka pasur përplasje të ashpra mes kryediplomatëve nga Kosova dhe Serbia.
Ministrja Donika Gërvalla dhe ministri Ivica Daçiq kanë përdorur fjalor të rëndë ndaj njëri-tjetrit. Gërvalla e ka quajtur Daçiqin “Sllobë të vogël” në një moment.
Megjithatë, një gjë e pazakonshme ka ndodhur pas përfundimit të seancës.
Ministri Ivica Daçiq është afruar te delegacioni i Kosovës që ndodhej ende brenda sallës dhe i ka drejtuar disa fjalë, të cilat nuk kuptohen nga videoja që është publikuar nga OKB.
Ndërkohë, ministrja Gërvalla që ndodhej jo shumë larg tij, është tërhequr dhe e ka injoruar Daçiqin, të cilin kishin nisur ta incizojnë disa prej të pranishmëve.
Në seancën që u mbajt në Nju Jork të SHBA-së dhe u kryesua nga Rusia, anëtarët e Këshillit të Sigurimit bënë thirrje që të arrihet marrëveshje në Bruksel dhe që të dyja palët të përmbahen nga nxitja e tensioneve.
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se Serbia po tenton ta bllokojë integrimin e Ballkanit në Bashkimin Evropian dhe ta bllokojë progresin në dialog.
“Është e qartë që Serbia nuk do marrëveshje në dialog. Në të kundërtën, do ta pengojë çfarëdo marrëveshje sepse Serbia e 2023-tës nuk do më të anëtarësohet në Bashkimin Evropian”, tha ajo.
Në anën tjetër, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se në fjalimin e Gërvallës u vërejt se Kosova “nuk do në fakt një dialog. Ata duan vazhdimësinë e luftës, të konflikteve”.
Gjatë fjalimit të saj, Gërvalla përmendi krimet ndaj popullatës shqiptare gjatë luftës së vitit 1999 dhe e krahasoi luftën në Kosovë me pushtimin aktual rus në Ukrainë, teksa tha se “Serbia është kërcënimi më i madh për paqen në Ballkan”.
VIDEO: 03:28:00