Serbisë i është bërë favor i madh me moskërkim të njohje së shtetësisë së Kosovës, ka thënë ish-kryeministri dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, i cili vlerëson se “dialogu ka dalë prej binarëve” me Qeverinë e Albin Kurtit. Një kahje e tillë e dialogut është “dëmi më i madh që i është bërë Kosovës që nga Pavarësia e së këndejmi”, ka vazhduar të vlerësojë Hoti në një intervistë për “ATV” ku foli gjerësisht për Dialogun e Brukselit për normalizim të marrëdhënieve.
Madje, mes tjerash, Hoti shpresat i vë te aleatët parësorë ndërkombëtar që “nuk heqin dorë” nga shtetësia e Kosovës, ngase, sipas tij, “sa i përket kësaj qeverie, s’e kam as minimumin e besimit që këta kanë ndonjë vijë të kuqe”.