Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka biseduar sot në Nju Jork me Përfaqësuesen e Përhershme të SHBA-së në OKB, Linda Thomas Greenfield, të cilës i ka përcjellë se “për Serbinë, puna e UNMIK-ut në kapacitet të plotë është i një rëndësie të madhe, duke pasur parasysh situatën aktuale në Kosovë”.
Daçiq u takua me Thomas Greenfield para seancës së nesërme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kushtuar punës së UNMIK-ut, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë
Duke folur për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Daçiq përsëriti se Serbia do të mbajë qëndrim konstruktiv për propozimin evropian dhe zbatimin e planit të veprimit me qëllim të normalizimit të mëtejshëm të marrëdhënieve, por ritheksoi se për Serbinë ka vija të, siç ka theksuar me muaj të tërë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Daçiq përmendi se për vazhdimin e dialogut, takimi i radhës i nivelit të lartë do të mbahet në Bruksel më 2 maj, në të cilin do të marrë pjesë edhe presidenti Vuçiq. Ai vuri në dukje se suksesi i përgjithshëm i propozimit evropian varet nga formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, si një obligim që është marrë përsipër 10 vjet më parë me nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit.