Kryeministri i Kosovës ka pritur sot për takimin ambasadorët nga Italia dhe Franca si dhe zëvendës-ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë. Siç bën të ditur kryeministria, në takim është diskutuar për procesin e zbatimit të marrëveshjes me Serbinë dhe Planin e Zbatimit.
Sa i përket Marrëveshjes Bazë dhe Planit të Zbatimit, Kurti ka ritheksuar përkushtimin e tij për zbatim gjithëpërfshirës dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike, ndërkaq ka denoncuar Serbinë për mos-zbatim dhe shkelje të marrëveshjeve të arritura.
Kurti ka thënë se nga takimi i radhës më 2 maj me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, pret angazhim konstruktiv për zbatimin e marrëveshjeve.
“Në takim u diskutua për procesin e zbatimit të Marrëveshjes Bazike me Serbinë dhe Planin e Zbatimit të adoptuar me 18 mars ndërmjet të dyja shteteve, si dhe për takimin në Bruksel me 2 maj. Ndërkaq në lidhje me takimin e radhës së nivelit të lartë politik, ai tha pret angazhim konstruktiv që siguron zbatim pa vonesë e të plotë të të gjitha neneve të dakorduara. Ndërkohë që theksoi sjelljet dhe veprimet e njëpasnjëshme të Serbisë të cilat bien ndesh dhe shkelin Marrëveshjen Bazë, marrëveshje kjo që ka mbështetjen e plotë të Gjermanisë, Francës dhe Italisë, krahas shteteve tjera anëtare të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mbështetje që kryeministri Kurti u kërkoi që të vazhdojnë ta kenë deri në zbatimin e plotë të saj”, thuhet në komunikatë.
ZKM njofton se Kurti ka falënderuar diplomatët për mbështetjen dhënë Kosovës në procesin e anëtarësimin në Këshillin e Evropës.
“Dy ditë pas votës së suksesshme për kalimin e fazës së parë për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Ambasadorin e Francës, Olivier Guérot, Ambasadorin e Italisë, Antonello De Riu, dhe zëvendësambasadorin e Gjermanisë në Republikën e Kosovës, Matthias Conrad. Ai shfrytëzoi rastin nga takimi që të falënderoj përfaqësuesit diplomatikë për mbështetjen e tyre dhe të vendeve të tyre ndaj Republikës së Kosovës në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, si një ndër hapat më madhor të Republikës sonë që pas shpalljes së pavarësisë”, thuhet në njoftim.