Taty Castellanos ka pushtuar titujt e gjithë mediave botërore pas katër golave të shënuar kundër Real Madridit të martën mbrëma në kuadër të La Ligas.
Kur Girona nënshkroi Taty Castellanos, ata e dinin se po nënshkruanin një golashënues. Një ‘nëntë’ klasik, sulmues të zonës.
Argjentinasi erdhi në skuadër si huazim nga New York City, një nga klubet që i përket City Football Group, flamuri kryesor i të cilit është Manchester City dhe që ka një marrëveshje edhe me spanjollët e Gironas.
“El Taty” iu bashkua Gironas këtë verë pasi shënoi 13 gola sezonin e kaluar në MLS.
Katër prej golave erdhën pikërisht nga një ndeshje e vetme, ashtu sikurse bëri kundër Realit.
Kjo ndodhi vetëm një vit më parë, në prill të 2022. New York City mundi Real Salt Lake me rezultat 6-0 dhe sulmuesi argjentinas arriti atë që ishte pokeri i parë i karrierës së tij.