Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka përkujtuar 33 vjetorin e vdekjes së heroit Fadil Vata.
Ai në llogarinë e tij në Facebook ka postuar disa foto pranë varrit të të ndjerit.
“Sot me bashkëpunëtorë, në Sallagrazhdë të Suharekës nderuam dhe kujtuam sakrificën sublime për lirinë e atdheut të njërit prej veprimtarëve më të shquar të lëvizjes sonë kombëtare – heroit të kombit, Fadil Vata”, ka shkruajtur Haradinaj.
Tutje ai ka thënë se Vata edhe ditëve të sotme është frymëzim për të çmuar lirinë.
“Fadili ishte intelektual dhe patriot i pathyeshëm. Pas daljes nga burgu e deri në ditët e fundit të jetës, ishte shtyllë e lëvizjes patriotike – mishërim i idealeve për fitore, frymëzim për kryengritjen që po vinte, ku trimat e UÇK-së zhvilluan betejat që e larguan përgjithmonë pushtuesin. Është frymëzuese sakrifica e tij në shërbim të atdheut. Ashtu mbetet edhe sot, frymëzim për ata që çmojnë frytet e lirisë. Lavdi e përjetshme!”, ka deklaruar Haradinaj.