Ministria e Punëve të Jashtme, do ta financojë realizimin e filmit të ri kosovaro-britanik “Fusha e mëllenjave”.
Ministri Enver Hoxhaj, i cili është takuar me regjisoren e këtij filmi Arzana Krajën e po ashtu producentët Harvey Ascott dhe Besnik Krapi, e ka konfirmuar këtë lajm duke thënë se ndjehet krenar kur sheh progresin që po bëjnë talentët kosovarë.
“Dy vitet e fundit janë viti i sukseseve të mëdha të talenteve tanë nëpër botë, në fushën e artit, kulturës dhe sportit. Është kënaqësi që kemi mundësinë ta mbështesim projektin më të ri të kësaj natyre, i cili pa dyshim do të tregohet i suksesshëm në Kosovë dhe jashtë saj”, ka thënë Hoxhaj.
MPJ po ashtu e ka përkrahur financiarisht edhe filmin Home, i cili së fundmi ka fituar çmim në BAFTA Film Awards.