Fama e shtrigave, bestytnive e zakoneve shqiptare ka udhëtuar deri në Skoci përmes filmit “Bloodlands”.
I shfaqur premierë në festivalin “Frightfilm”, një shfaqje dedikuar filmave të frikshëm, “Bloodlands” shënon edhe të parin film horror shqiptar, ngjarjet e të cilit zhvillohen në një qytezë të vogël, ku një familjeje i duhet të përballet me mallkimet e një shtrige.
“Personazhi im quhet Shpresa dhe është mamaja e familjes kryesore, mbi të cilën zhvillohen ngjarjet e filmit. Familje, e cila vihet përpara peripecive në përballje me atë që quhet shtriga. Ajo merr hak së pari me bashkëshortin tim, e kjo më vë mua, fëmijët e mi e familjen time në kërkim të gjurmëve të saj, për të shpëtuar bashkëshortin dhe fëmijët”, tha Suela Bako, aktore.
Suela, Gëzim Rudi dhe aktorë të tjerë kanë punuar nën drejtimin e regjisorit greko-australian, Steven Kastrissios.
“Filmi është i luajtur i gjithi në shqip. Bashkëpunimi ka qenë i shkëlqyer, sepse Steven, regjisori i filmit, kishte informacion për gjithçka”, rrëfen më tej Suela Bako, transmeton t.ch.
Pas premierës në Angli, filmi “Bloodlands” do të udhëtojë në festivalin portugez “Fantasporto”, ndërsa për publikun shqiptar pritet të shfaqet rreth muajit qershor.
“Unë nuk e di sesi mund ta presë publiku shqiptar një film të tillë. Di që filmat horror janë nga më të shiturit jashtë. Unë shpresoj shumë që të ketë kureshtje për ta ndjekur”, u shpreh Suela Bako.