Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë tha të shtunën se ka bërë të gjitha përgatitjet për zgjedhjet e së dielës në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe ku do të votohet për kryetarët e katër komunave.
Ky komision tashmë ka vendosur kontejnerë nëpër rrugët kryesore në veri ku gjithsej do të ketë 19 qendra votimi, ndërsa policia e Kosovës tha se ka marrë të gjitha masat për krijimin e një mjedisi të sigurt për procesin zgjedhor.
Në zgjedhje pritet të marrin pjesë 10 kandidatë prej të cilëve vetëm një nga komuniteti serb, pasi Partia e Serbëve të Kosovës, një subjekt politik me seli në komunën e Leposaviçit, hoqi dorë nga pjesëmarrja në zgjedhjet për shkak të siç tha mungesës së kushteve të përshtatshme për zhvillimin e zgjedhjeve.Reklama
Postet e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës mbetën bosh në nëntor të vitit të kaluar kur përfaqësuesit serbë në zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, mes tensioneve për shkak të mospajtimeve ndaj një vendimi të qeverisë në Prishtinë për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia.
Lista Serbe subjekti kryesor i serbëve të Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve serb për bojkot të përgjithshëm të këtyre zgjedhjeve të cilat i ka quajtur “jodemokratike të organizuara nga Albin Kurti”. Kjo listë tha se serbët duhet të “shikojnë me përbuzje të gjithë ata që planifikojnë të dalin dhe të marrin pjesë në këtë proces të paligjshëm dhe që është kundër interesave të popullit serb”.
Bashkimi Evropian tha se sigurimi që zgjedhjet të zhvillohen në kushte paqësore është thelbësor.
Në një përgjigje për Zërin e Amerikës, zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano tha se “është shumë zhgënjyese që Lista Serbe që përfaqëson serbët e Kosovës ka vendosur të mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale të planifikuara për 23 prill në katër komunat veriore”.
Stano tha se është detyrë e Kosovës dhe Serbisë që të kenë përparësi kthimin e serbëve të Kosovës në institucione dhe të bien dakord për një rrugë përpara që është gjithëpërfshirëse, e drejtë, demokratike dhe paqësore, duke bërë thirrje për përmbushjen e marrëveshjes së 18 marsit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet palëve.
“Marrëveshja dhe Aneksi hapin rrugën drejt normalizimit të gjithanshëm të marrëdhënieve. Një pjesë themelore e zbatimit të këtyre marrëveshjeve do të jetë kthimi i qëndrueshëm i serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës, duke përfshirë edhe pushtetin lokal”, tha Stano.Reklama
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ka kritikuar ashpër vendet kryesore perëndimore për mbështetjen e zgjedhjeve të së dielës, duke theksuar se qëllimi i tyre është pamundësimi i themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Duke i cilësuar zgjedhjet e së dielës si “një ditë të rëndë” për popullin serb, ai u bëri thirrje banorëve të veriut të shmangin incidentet.
Autoritetet në Kosovë ndërkaq u kanë bërë thirrje qytetarëve serb që të marrin pjesë në zgjedhje të cilat sipas tyre janë të rëndësishme për konsolidimin e demokracisë dhe funksionimin e institucioneve në veriun e vendit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes një mesazhi u bëri thirrje serbëve në veriun e Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet e së dielës pavarësisht, siç tha, kërcënimeve dhe frikësimeve nga strukturat kriminale të mbështetura nga Beogradi.Reklama
Presidentja Osmani tha se “pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje do t’u dërgojë një mesazh të fortë atyre që kërkojnë t’i frikësojnë dhe shtypin” duke nënvizuar se institucionet e Kosovës do të jenë në mbështetje të tyre për të ofruar siguri.
Zgjedhjet u caktuan fillimisht për datën 18 dhjetor të vitit të kaluar por ato u shtynë me kërkesën e diplomatëve perëndimorë të cilët u përfshinë në një përpjekje për një marrëveshje normalizimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilën palët u pajtuan më 18 mars në Ohër.
Bisedimet rreth zbatimit të saj pritet të mbahen me 2 maj në Bruksel.