Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Sakip Imeri, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Shqipërisë në Kosovës, Qemal Minxhozi.
Gjatë këtij takimi u diskutua për bashkëpunimin e deritashëm, si dhe thellimin e bashkëpunimit mes ATK-së dhe Drejtorisë se Tatimeve të Shqipërisë në fushat me interes të përbashkët, me qëllim të rritjes së efikasitetit gjatë proceseve të punës, përfshirë këtu edhe krijimin e qendrës së përbashkët të trajnimeve për çështjet tatimore dhe doganore.
Imeri foli edhe për vizitën që do të zhvillohet gjatë këtyre ditëve në Shqipëri. Gjithashtu, është diskutua edhe ideja e krijimit të një studimi të efekteve tregtare në mes të bizneseve të të dyja vendeve, me qellim të informimit të drejt për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit dhe nxitjes së investimeve të përbashkëta.
Të dyja palët u pajtuan që të angazhohen në ruajtjen dhe rritjen e bashkëpunimit në mes këtyre dy institucioneve, në funksion të transparencës dhe efektivitetit të shërbimeve, zbatim të barabartë dhe të njëtrajtshëm të ligjeve tatimore dhe marrëveshjes për eliminimin e tatimit të dyfishtë, si dhe një angazhim për kushte më të mira për veprimtarinë e përmbushjes tatimore.