7.5 C
Pristina
Tuesday, November 5, 2024

Buy now

spot_img

Pse SBASHK-u po kundërshton testimin e mësimdhënësve?

Mësuesja A.D tha se është kundër testimit me shkrim për njohuritë e mësimdhënësve, pasi një proces të tillë e konsideron nënçmues për vetë ata dhe veprim që vë në dyshim nivelin e mësuesve, arsimtarëve dhe profesorëve.

Ajo tha për Radion Evropa e Lirë se një testim i tillë do të kishte ndikim negativ të mësimdhënësit, duke argumentuar se do të ndiheshin të pavlerë dhe të padobishëm për institucionet arsimore ku punojnë.

A.D, që nuk deshi t’i publikohej emri i plotë, tha se ajo personalisht nuk do të pranonte që të testohej me shkrim lidhur me njohuritë e saj për fushat që ajo jep mësim.

“Jo asnjëherë [nuk do të pranoja testin me shkrim]… Një mësimdhënës deri te ditari ka kryer mjaftueshëm teste… Mendoj që është nënçmim të ritestosh një mësimdhënës pas përfundimit të një niveli arsimor”, tha kjo mësuese.

Edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK-u) vazhdimisht ka deklaruar se nuk do të pranojë që mësimdhënësit t’iu nënshtrohen testimeve për njohuritë, pasi e kanë vlerësuar si të panevojshëm, madje ofendues nëse miratohet një testim i tillë me shkrim.

Sipas kreut të SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, nëse miratohet një testim i tillë, atëherë do të vihej në dyshim edhe përgatitja universitare dhe kualifikimet e tjera të mësimdhënësve të Kosovës.

“Ne nuk ndryshojmë qëndrim dhe nganjëherë po përzihen dy terme, testim i njohurive me shkrim dhe vlerësim i performancës së mësimdhënësve. Ne ishim, jemi dhe mbetemi kundër testimit me shkrim të njohurive të mësimdhënësve, ngase është nënçmues dhe degradues dhe e vë në pikëpyetje, pa asnjë arsye, dijen që ata e kanë marrë në universitetet e Kosovës. Madje edhe vë në pikëpyetje, pa arsye, edhe punën që e kanë bërë profesorët e nderuar me këta studentë që i kanë përgatitur për sektorin e arsimit”, tha Jasharaj për Radion Evropa e Lirë.

Debati se a duhet të testohen njohuritë dhe performanca e mësimdhënësve, që aktualisht janë ende të punësuar, duket se ende vazhdon, pasi së fundmi është përmendur një draft-udhëzim administrativ për licencimin e mësimdhënësve në kuadër të pakos së ndryshimeve legjislative.

Mësimdhënësit, të cilët dëshirojnë të gradohen me licenca të avancuara, të përhershme dhe të karrierës, do të duhej t’iu nënshtrohen disa vlerësimeve, të cilat do të përcaktoheshin pasi të hynte në fuqi udhëzimi administrativ për licencimin e mësimdhënësve. Në një përgjigje të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) për Radio Kosovën u tha se rast se mësimdhënësi i cili kalon nga licenca e karrierës në atë të avancuar, parashihet edhe një shtesë në page për të.

Lidhur me këtë, kreu i SBASHK-ut, Jasharaj, tha se nuk është kundër draft-udhëzimit të MASHTI-t, sepse mësimdhënësve u ofrohet mundësia që t’iu nënshtrohen testimit vullnetarisht dhe se ata vazhdimisht kanë kërkuar që inspektorët profesionalë të shohin nga afër angazhimin e çdo mësimdhënësi që ka në klasë me nxënësit.

“Është përgatitur gati në tërësi dhe i mbetet në fund ministres [së Arsimit] Arbërie Nagavci, pra ministrja ta nënshkruajë dhe pastaj të fillojë edhe procedura e gradimit. Ajo se çfarë duhet të dinë mësimdhënësit e Kosovës është që do të jetë çështje në mënyrë vullnetare, pra [për ata] mësimdhënës të Kosovës që e ndjejnë veten të përgatitur”, theksoi Jasharaj.

REL-i ka tentuar ta kontaktojë MASHTI-n lidhur me testimin me shkrim për njohuritë e mësimdhënësve, për të kuptuar se cili është qëllimi dhe kur mendohet të realizohet, mirëpo nga ky institucion nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij teksti.

Sipas udhëzimit administrativ për sistemin e licencimit dhe zhvillimit të mësimdhënësve në karrierë, sistemi i vlerësimit të performancës së mësimdhënësve përbëhet nga vlerësimi i brendshëm i performancës së mësimdhënësit, vetëvlerësimi dhe vlerësimi nga shkolla i udhëhequr nga drejtori dhe vlerësimi i jashtëm i performancës i udhëhequr nga Inspektorati i Arsimit.

Për mundësin e testit me shkrim të njohurive të mësimdhënësve, sociologia Flakë Ymeri tha për REL-in se nuk është i nevojshëm, për arsye se përveç se, sipas saj, është përbuzës, mund të ketë pasoja në shoqëri varësisht nga rezultati i atyre testeve nëse zbatohet.

“Unë uroj që të mos aprovohet një kërkesë e tillë sepse mund të zgjojë një luhatje te nxënësit dhe te të gjithë popullata, dhe të vihet në lajthitje dijenia dhe gjitha ato diploma”, tha Ymeri.

“Në aspektin shoqëror, përveç që do të jetë një thyerje emocionale dhe ulje e motivit te mësimdhënësit, sigurisht edhe një përbuzje për ta, edhe nxënësit do t’i shohin ndoshta me një sy tjetër… Krijon një lloj kaosi, pastaj mund të ketë edhe revolta që mund të jenë të arsyeshme nga ana e mësimdhënësve dhe me këtë çështje ne vetëm kontribuojmë në aspektin negativ”, shtoi ajo.

Në pyetjen se kush është nismëtari i testimit me shkrim për njohuritë e mësimdhënësve, Jasharaj nga SBASHK-u tha se vetë ish-zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Popovci, ka deklaruar se një testim i tillë nuk ka qenë ide e MASHT-it.

“Kërkesën me test me shkrim nuk e ka iniciuar askush, por është përmendur edhe në kohët e kaluara nga ministrat e tjerë në momente të caktuara, si ide të cilën e kemi kundërshtuar arsyeshëm dhe po them as Nagavci e as Popovci, sa ishte zëvendësministër, nuk e kanë përmendur drejtpërdrejtë…dhe ne jemi dakorduar dhe MASHT-i ka thënë në atë kohë se testi me shkrim nuk është as në planin e tyre”, u shpreh Jasharaj.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në vitin shkollor 2021/22 në Kosovë ishin 611 mësimdhënës për nivelin parashkollor, 17.211 mësimdhënës për nivelin parafillor, fillor dhe të mesëm të ultë, si dhe 5.211 mësimdhënës të arsimit të lartë.

Cilësia e arsimit në sistemin parauniversitar të Kosovës është kritikuar shpesh nga institucionet ndërkombëtare. Në dy testet e programit ndërkombëtar për vlerësimin e nxënësve, PISA, Kosova ka dalë gati në fund të ranglistës botërore.

Si kualifikohen dhe licencohen mësimdhënësit në Kosovë?

Në udhëzimin administrativ të sistemit të licencimit dhe zhvillimit të mësimdhënësve në karrierë thuhet se sistemi i licencimit zbatohet me atë të zhvillimit në karrierë.

Po në këtë udhëzim shpjegohet se zhvillimi dhe kualifikimi realizohet në bazë të Ligjit për arsimin e lartë, programeve të akredituara dhe politika të tjera arsimore që rregullojnë këtë aspekt.

Sistemi i licencimit përcakton katër lloje të licencës së rregullt: licencë për mësimdhënës të karrierës, licencë për mësimdhënës të avancuar, licencë për mësimdhënës mentorë dhe licencë për mësimdhënës të merituar./REL/

 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img