-4.6 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Telefona luksozë për Kushtetuesen

Edhe Gjykata Kushtetuese merr hapin për të hyrë “në vallen” e institucioneve për blerje të vogla e të kushtueshme.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës po synon të shpenzojë rreth 600 euro për një telefon të mençur. Gjashtë sosh synon t’i blejë për të cilët ka rezervuar 3 mijë e 500 euro në shpenzimet e planifikuara për këtë vit.
Me këto mjete, aktualisht në tregun e Kosovës mund të blihen telefona të fjalës së fundit. Mirëpo, krahasuar me institucionet e tjera të cilat kanë rezervuar deri në 800 euro për një telefon, Gjykata Kushtetuese po del të jetë me dorështrënguar.

Në faqen zyrtare të Komisionit Regullativ për Prokurim Publik (KRPP), Gjykata Kushtetuese ka publikuar njoftimin për kontratë në bazë të të cilit planifikon të blejë telefona të mençur, shkruan Kallxo.com

Sipas thirrjes për kontratë, Kushtetuesja planifikoi të paguajë deri në 3 mijë e 500 euro për telefona mobilë.

Gjykata Kushtetuese thotë se një shumë e tillë e mjeteve i është miratuar në buxhetin e vitit 2017.

“Në bazë të Ligjit për Buxhet Nr. 05/L-125 për vitin 2017, Gjykatës Kushtetuese i janë aprovuar 3,500 euro në kodin për pajisje me aparat telefoni (mobil). Nëpërmjet aktivitetit të prokurimit “Furnizim me Aparate Telefoni (smart phone) për Nevojat e GJKK-së. Gjykata planifikon të furnizohet me 6 telefona mobilë”, thuhet në përgjigjen e Kushtetueses.

Bazuar në përgjigjen e ofruar nga kjo Gjykatë dhe në një përllogaritje të thjeshtë i bie që planifikohen të shpenzohen deri në 583 euro për një telefon.
Në anën tjetër Gjykata Kushtetues ka qenë e rezervuar për të dhënë informacione se kush do të jenë shfrytëzues të këtyre telefonave mobilë.

“Në përputhje me nenin 8 të Udhëzimit Administrativ të Gjykatës Nr. 02/2012, të drejtë për pajisje me aparat telefoni (mobil) kanë: kryetari i Gjykatës Kushtetuese, zëvendëskryetari i Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarët, sekretari i përgjithshëm, drejtorët e departamenteve, këshilltarët juridikë, si dhe zyrtarët e tjerë të lartë”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni. Duke marrë parasysh numrin e pozitave që i ka përmendur në këtë përgjigje është e qartë që disa nga personat që mbajnë pozita që u takon telefoni nuk do të kenë mundësi për furnizim me telefon me këtë tender.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka blerë telefona të mençur edhe vitin e kaluar. Kishte shpenzuar 7,950 euro për blerjen e 10 telefonave të mençur. Në bazë të një llogaritje të thjeshtë i bie që vitin e kaluar kanë shpenzuar 795 euro për një telefon.

Ky institucion gjithashtu thotë se nuk di se çfarë telefona do të blihen.

“Përkitazi me modelin e telefonave (smart phone), në dosjen e tenderit janë cekur vetëm specifikat e tyre, në përputhje me nevojat për punë të stafit të gjykatës”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.

Mijëra euro janë shpenzuar për telefona edhe nga institucione tjera të drejtësisë. Hiç më pak se 20 mijë e 700 euro për telefona mobilë shpenzoi Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK).

Në vlerë prej 995 euro, telefon të mençur ka blerë edhe Gjykata në Mitrovicë.

Mbi 4 mijë euro Ministria e Drejtësisë shpenzoi për kabinetin e ministres Hoxha.

Telefona të shtrenjtë mobilë bleu edhe Ministria për Administrimin e Pushtetit Lokal (MAPL). MAPL-ja i bleu telefon mobil zëvendësministrit të saj Gjergj Dedaj, në vlerë prej 630 eurove./Kallxo.com/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img