“Paraja nuk është gjithçka”, thotë për rrjetin ballkanik të mediumit “Al Jazeera” 15-vjeçari Ardian Ruhani, i cili shet kikirikë në rrugët e Prishtinës.
Ruhani, me një anglishte të rrjedhshme tregon për “Al Jazeera” se si i fiton paratë me të cilat ndihmon familjen e tij. Thotë se me shitjen e kikirikëve fiton para të konsiderueshme.
“Shes vërtetë shumë. Çdo njeriu që i pëlqejë unë, më thërrasin dhe më thonë ‘eja këtu’, unë i them ‘çfarë’, dhe më thonë ‘unë dua të blejë diçka nga ti’ dhe ‘dua tu japë 10 euro’ apo nganjëherë më japin 20 euro e më thonë të shkojë në shtëpi, sepse të rrish këtu nuk është mirë për mua”, rrëfen Ardiani.
15-vjeçari thotë se ka pasur ditë kur ka fituar një shumë prej 350 euro nga shitja e kikirikëve në kryeqytetin kosovar.
“Nuk e di saktësisht se sa para bëj në ditë, mirëpo për Krishtlindje kam bërë 350 euro”, thotë Ruhani për “Al Jazeera”.
I pyetur nëse paratë ia dërgon familjes së tij, Ardiani 15-vjeçar thotë: “Ia japë paratë babait tim, sepse dua ta ndihmojë familjen time, por jo sepse më thotë ai, sepse ai më thotë ‘mos më jap asgjë’ por unë vetëm dua ta ndihmojë familjen”.
Pavarësisht se kohën më të madhe të kohës e kalon duke shitur kikirikë në rrugë, Ardiani nuk ndalon së ndjekuri ëndrrat e tij. Biznesi dhe futbolli janë dy profesionet që ai dëshiron t’i ushtrojë në të ardhmen.
“Dua të bëhem biznesmen i mirë apo të luajë futboll. Dhe nëse shkojë diku larg Kosovës, dua t’i ndihmojë vëllezërit e mi”, pohon Ardian Ruhani.
“Al Jazeera” ka publikuar një dokumentar rreth shtetit të Kosovës. Në këtë film dokumentar janë intervistuar edhe artistë, biznesmenë e politikan kosovarë.
.