Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka kërkuar nga të rinjtë që të mos largohen nga Kosova.
Në hytben e faljes së namazit të Fitër Bajramit, ai ka bërë me dije se lëshimi i vendit nga të rinjtë dhe profesionitet nuk është zgjedhje.
“Braktisja e vendit nuk është zgjidhje e duhur, sidomos nga të rinjtë dhe ekspertët tanë. Jeta në këtë botë nuk e ka qëllim e mision vetëm anën materiale. Dashtë Zoti që vendi ynë, me angazhimin tonë, të bëhet vend ku jetohet e punohet me dinjitet”, ka vlerësuar Tërnava.
Në adresimin e tij, Tërnava ka bërë me dije se të gjithë duhet të bëjnë përpjekje për ta ndërtuar të ardhmen në Kosovë.
“Ka dashtë Zoti që tash e sa vite vendi ynë është i lirë e i pavarur, mirëpo është obligim yni që vendin tonë ta ndërtojmë e ta bëjmë me perspektivë, një vend ku jetohet me dinjitet, ku fëmijët tanë të rriten të sigurt e të marrin edukim e arsimim cilësor, një vend ku sigurojmë vende pune e jetesë të dinjitetshme. Dikur lirinë e vendit e kishim ide e projekt, ndërsa tani falë sakrificës shekullore të popullit , tash e sa kohë shtetin tonë e kemi realitet, por, si qytetarë të këtij vendi, e kemi obligim që ta bëjmë më të mirën për vendin tonë, që ta bëjmë atë të jetueshëm për të gjitha kategoritë e shoqërisë”, është shprehur Tërnava./PrishtinaPress/