Ëndrra e 19-vjeçares, Albina Halili, u bë realitet më 4 gusht të 2022-ës kur ajo mësoi se është pranuar në konkursin për infermierë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Mirëpo, gëzimi i saj nuk zgjati shumë. Vetëm pesë ditë më vonë gjithçka u përmbys, kjo pasi konkursi në të cila Albina i kaloj të gjitha fazat u anula, nga ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së ShSKUK-së, Pranvera Zejnullahu.
Konkursi ne te cilin doli e zgjedhur Albina, u kthye në pikën zero dhe një tjetër nisi nga fillimi.
Ndonëse në konkursin e parë ajo kishte dalë e dyta me radhë, në konkursin e dytë, ajo nuk u pranua fare.
E zhgënjyer nga ky rast, 19-vjeçarja thotë se pas përfundimit të studimeve planifikon të largohet për në Gjermani.
Fatin e Albinës e patën edhe 11 kandidatët e tjerë të pranuar, të cilët pas anulimit të konkursit ushtruan padi kundër ShSKUK-së për shkelje të të drejtave në punësim.
Çka ndodhi në të vërtetë dhe si erdhi deri tek anulimi i konkursit?
Më 3 gusht 2022, në ditën kur do të mbahej intervista me gojë, njëri nga anëtarët e komisionit përzgjedhës, Liridon Mehmeti, në orën 07:50, vetëm 10 minuta para fillimit të intervistave, njoftoi Skender Shabanin, shefin e personelit në ShSKUK, se ai nuk mund të jetëi pranishëm në këtë fazë të konkursit, për shkaqe personale.
Kiksi ka kontaktuar me Shabanin për të marrë versionin e tij për këtë rast, por i njëjti ka refuzuar që të deklarohet.
Mirëpo, në një shkresë të siguruar nga emisioni, shefi i Personelit e njofton Zejnullahun se për shkak të presionit të kohës dhe meqë kandidatët e thirrur në intervistë vetëm se kishin mbërritur, në vendin e Mehmetit u dërgua për zëvendësim Merita Shatrolli.
Megjithëse propozimi për ndryshim-plotësimin e vendimit u dorëzua në zyrën e drejtoreshës Zejnullahu, ai nuk mori nënshkrimin e saj.
Komisioni me anëtaren e re vazhdoi procedurat dhe të nesërmen publikoi rezultatet e konkursit.
Ndonëse vetë nuk e firmosi propozimin për ndryshim-plotësimin e vendimit për komisionit përzgjedhës, Zejnullahu katër ditë pas shpalljes së listës së kandidatëve të pranuar, më 8 gusht të 2022-ës, u kujtua që të kërkojë interpretim ligjor nga Zyra për Çështje Juridike në QKUK, lidhur me dy çështje.
Çështja e dytë kishte të bënte pikërisht me ndërrimin e anëtarit të komisionit, siç thuhet në shkresë, pa miratimin e saj.
Ditën që mori interpretimin ligjor, Zejnullahu kërkoi nga Zyra e Personelit që ta anulojë menjëherë konkursin për infermierë, me arsyetimin se ka pasur shkelje ligjore gjatë gjithë procesit.
Dhe një ditë më vonë, më 9 gusht, ajo mori vendim që ta kthejë konkursin në pikën zero.
Kiks Kosova ka provuar që të kontaktojë me Zejnullahun, por e njëjta nuk u është përgjigjur thirrjeve të emisionit.
Ky vendim i saj bëri që të paktën 12 kandidatë të cilët ishin pranuar në këtë konkurs t’ia mësyjnë gjykatës. Ata paditën ShSKUK-n për shkelje të të drejtave në punësim.
Avokati Florim Shefqeti, i cili përfaqëson këta kandidatë tha për Kiksin se përmes kësaj padie ata kërkojnë anulimin e vendimit që anuloi këtë konkurs.
Sipas të dhënave që Kiksi ka marrë nga Oda e Infemierëve të Kosovës, nga viti 2021, 750 infermierë janë larguar nga vendi.
Arsyet e largimit të tyre, sipas kësaj ode, lidhen me financat, si dhe sigurinë e kushtet më të mira të punës në vendet ku shpërngulen.