Ish-kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Mazllum Baraliu, thotë se është hap i duhur mosshtyrja e serishme e zgjedhjeve në katër komunat veriore.
Sipas tij, zvogëlimi i numrit të qendrave të votimit dhe votimi në qendra alternative varësisht prej rrethanave është praktikë e kahershme ndërkombëtare.
Ai thekson se derisa s’ka prag ligjor për përqindjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje, ato do të jenë legale dhe legjitime. Ndërkohë, Baraliu, thotë se nuk pret destablizim të situatës në veri pavarësisht mos pjesëmarrjes në zgjedhje të Listës Serbe më 23 prill, derisa thekson edhe nevojën e mos pengimit të ushtrimit të mandateve për ata që i fitojnë ato pas zgjedhjeve.
Baraliu thotë për KosovaPress se është momenti u fundit që qytetarët në Komunën e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit t’i kenë institucionet e tyre legale të dala nga një proces zgjedhor.
“Tashmë ka qenë momenti i fundit që qytetarët në ato komuna t’i kenë institucionet e tyre legale dhe zgjedhjet të mbahen. Është hap i duhur i KQZ-së që të mos i shtyjë më tutje zgjedhjet por të mbahen ato. Sa i përket qendrave të votimit edhe më herët ka pasur praktika të ndryshme në botë, por edhe tek ne në Kosovë që lejojnë që përveç qendrave të votimeve tradicionale të ketë edhe qendra alternative apo mobile. Varësisht prej rrethanave të momentit ato mund të jenë të tilla dhe nuk ka asgjë të keqe, pasi është domosdoshmëri që të mbahen këto zgjedhje”, deklaron Baraliu.
Ai thekson se në zgjedhjet e 23 prillit në veri është e rëndësishme të ketë një minimum të standardeve demokratike. Sipas tij, e rëndësishme është që mos të ketë pengesa të mëdha për qytetarët që të dalin në zgjedhje dhe mos të ketë abuzime me vota.