Kryetari i VV-së, Albin Kurti, ka takuar të dielën katër kandidatët e subjektit të tij për kryetar të komunave në veri të Kosovës. Në takim, Kurti ka qenë së bashku me disa ministra dhe deputetë të partisë.
Më 23 prill do të mbahen zgjedhjet lokale për komunat në veri të cilat mbeten pa kryetar si shkak i dorëheqjes së Listës Serbe nga institucionet. VV ka prezantuar kandidatët, ndërsa Kurti ka thënë se ndan besimin që procesi zgjedhor të kalojë pa incidente dhe nën frymën demokratike.
Ky është postimi i plotë i faqes zyrtare të VV-së në rrjetin sociale Facebook:
115 është numri i fitores për katër komunat në veri të Republikës tonë!
Sot, Kryetari i Lëvizjes, njëherit Kryeministri, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Sekretarin e Përgjithshëm të LVV, Alim Rama, Kryetarin e LVV në Mitrovicë, deputetin Armend Muja, dhe anëtar të shtabit zgjedhor të LVV në Mitrovicë, takoi katër kandidatët e VETËVENDOSJE!-s që me numrin 115 po garojnë në zgjedhjet që do të mbahen në katër komunat në veri të Republikës tonë.
Erden Atiqin, kandidatin më të votuar shqiptar në zgjedhjet e fundit lokale atje, që sërish kandidon për veriun e Mitrovicës.
Flatron Hasanin që kandidon për Zubin Potok.
Fetah Pecin që kandidon për Zveçan.
Dhe, Lulzim Hetemin që kandidon për Leposaviq.
Kurti si Kryeministër ndau besimin e tij që ky proces zgjedhor do të kaloj ashtu siç duhet dhe i ka hije një procesi demokratik, qetë e pa incidente, me pjesëmarrje të lirë e të lartë të qytetarëve në komunat veriore.
Duke u dëshiruar fushatë zgjedhore të mbarë dhe të suksesshme, si Kryetar i Lëvizjes, ai i siguroi katër kandidatët e subjektit tonë për mbështetje të fuqishme nga organizata jonë për këto zgjedhje që do të mbahen të dielën e ardhshme me 23 prill.
Numri 115 është numri i fitores tonë, numri i kandidatëve tanë që do të udhëheqin në katër komunat veriore të vendit tonë.