12.3 C
Pristina
Tuesday, November 5, 2024

Buy now

spot_img

Ohri testohet në Veri, a do të ruhet stabiliteti?

Kosova sheh rrezik që situata në veri të vendit të destabilizohet këto ditë, në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komuna të asaj pjese.

Zgjedhjet ka vendosur t’i bojkotojë Lista Serbe, udhëheqësit e së cilës u takuan me krerët e shtetit serb të enjten në Rashkë, në afërsi të Kosovës, ku u tha se pjesëtarët e një organizata kanë zhvilluar stërvitje me armë. Serbia kërkon urgjentisht themelimin e Asociacionit dhe kjo u paraqit si “parakusht absolut” për vazhdimin e dialogut.

Por kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se e kanë “garancinë” e ndërkombëtarëve se zgjedhjet nuk do të shtyhen edhe një herë.

 

Krerët e shtetit të Kosovës duket se kanë informacione për mundësinë e destabilizimit të situatës në veri të vendit, në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq. Kjo situatë vjen përkundër marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë më 18 mars në Ohër, e cila u konsiderua si një garanci për paqen në rajon.

Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, tha të premtën se Serbia nuk mund ta kushtëzojë Kosovën për zgjedhjet në veri dhe se për to kanë marrë një garanci nga ndërkombëtarët.

“Nuk mund të kushtëzohemi prej Vuçiqit, prej Beogradit, prej Serbisë, që ata të vendosin se kur mundtë ketë zgjedhje ose jo në Kosovë. Zgjedhjet janë caktuar. Një kompromis i mëhershëm ka ndodhur dhe zgjedhjet janë shtyrë një herë. Ato janë shtyrë me kërkesën e bashkësisë ndërkombëtare. Ne kemi marrë garancinë prej tyre se nuk do të shtyhen më shumë se një herë”, tha Konjufca.

Ai e ka vlerësuar mbështetjen e vendeve të QUINT-it (SHBA, Britani e Madhe, Gjermani, Francë, Itali) për mbajtjen e zgjedhjeve më 23 prill, duke thënë se ai “ka qenë shumë pozitiv”.

Një ditë më herët kryeparlamentari iu bëri thirrje për qetësi të gjithë qytetarëve që jetojnë në veri të Kosovës.

“Meqenëse edhe zgjedhjet po afrohen tash, pra pas dhjetë dite është data e zgjedhjeve, nuk janë të rastësishme të gjitha këto që po ndodhin, meqë është një tendencë e qartë që te destabilizohet ajo pjesë e vendit përpara zgjedhjeve të 23 prillit”, deklaroi Konjufca për KosovaPress. Ai tha se institucionet e vendit duhet të argumentojnë se funksionon rendi, ligji dhe Kushtetuta.

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë ka informacione se në Rashkë të Serbisë, pranë kufirit me Kosovën dy grupe po zhvillojnë trajnime për ta destabilizuar veriun, tha kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, Ganimete Musliu para gazetarëve të mërkurën e javës së kaluar.

“E ashtuquajtura Organizatë e Mbrojtjes Civile në bashkëpunim edhe me Listën Serbe në vazhdim kanë aktivitet në veri të vendit. Pjesëtarët e kësaj organizate po trajnohen në Rashkë për veprime destabilizuese në Kosovë. Atje vazhdon djegia e veturave të qytetarëve serbë me targa RKS. Po ashtu linçimi dhe presoni është rritur ndaj qytetarëve serbë që nuk i binden Listës Serbe. Prandaj si shtet duhet të përgatitemi për çdo provokim të situatës që mos të na zë në befasi. AKI-ja po e kryen punë me sukses dhe e ka përkrahjen e Komisionit për veprime konkrete. Unë flas zyrtarisht si institucion. Është e konfirmuar që dy grupe janë duke u stërvitur në Rashkë e që mund të merren me veriun e Kosovës. Ka stërvitje, gjuajte me armë, taktizim”, ka thënë ajo.

“Ekziston një brengë që ka potencial nga ana e Serbisë që ta destabilizojë situatën”, pranoi të nesërmen zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, gjatë një raportimi në Komisionin parlamentar për Punë të Jashtme.

Indikacione për këtë kanë dhënë djegiet e disa veturave në veri ditët e fundit. Djegiet, sipas Bislimit, u bënë pasi në mars u shtua gatishmëria e qytetarëve serbë për t’i konvertuar targat e veturave të tyre në RKS.

“Brenda pak ditëve janë regjistruar afërsisht një e dhjeta e veturave të cilat nuk kanë qenë të konvertuara ende dhe me atë ritëm shumë shpejt do të kishim mundur t’i konvertojmë shumicën absolute të targave ilegale në Kosovë. Situata ka ndryshuar në prag të takimit në Bruksel”, ka thënë kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë.

Rrezik sheh edhe ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani.

“Realisht situata në komunat veriore të Kosovës ka një dimension jashtëzakonisht të përshkallëzimit, tensionimit të lartë dhe si e tillë duket tepër qartë – të paktën edhe prej vlerësimeve të institucioneve të sigurisë – se është situatë e paqëndrueshme dhe si e tillë mund të sjellë pasoja të tjera”, tha Ramadani.

Krerët e shtetit serb morën masa në Rashkë

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrja Ana Bërnabiq dhe kryenegociatori Petar Petkoviq shkuan të enjten në Rashkë, aty ku u tha se po bëhen trajnime për destabilizimin e Kosovës.

Aty, afër kufirit me Kosovën, ata u takuan me udhëheqësit e Listës Serbe që ka vendosur t’i bojkotojë zgjedhjet e 23 prillit. Kjo parti ka thënë se s’do të marrë pjesë në zgjedhje pa u përmbushur dy kërkesat e tyre: formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe tërheqja e të gjitha njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

Në këtë takim u miratuan pesë konkluzione. Së pari, ata kërkojnë “reagim urgjent” nga BE-ja ndaj Kosovës. Së dyti, ata e vendosin formimin e Asociacionit si “parakusht absolut” për vazhdimin e dialogut.

“Kërkesë për formimin e pakushtëzuar dhe urgjent të Asociacionit. Është një parakusht absolut për të gjitha hapat e mëtejshëm në dialog”, thuhet në konkluzionin e dytë.

Nga sot, ata thanë se do të kërkojnë tërheqjen e forcave të Policisë së Kosovës nga çdo vend në veri.

Serbia kërkon që zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbahen “pas formimit të Asociacionit”.

Në lidhje me pjesëmarrjen në zgjedhje, Vuçiq tha se ua ka treguar perëndimorëve kushtin e tyre. “Kanë javë që thonë – ju lutem zoti Vuçiq, do t’ju ​​shpallim fajtor nëse prishen zgjedhjet”, tha ai.

Vuçiq s’e la pa folur edhe për mundësinë e ndërhyrjes ushtarake.

“I vetmi lajm që do t’ju gëzonte është hyrja e ushtrisë serbe në Kosovë dhe vetëm atëherë do të ndiheni të sigurt. Mendoj se politika që ne udhëheqim duhet të jetë politikë përgjegjësie”, iu tha ai përfaqësuesve të serbëve në Rashkë.

“Nëse ata e sulmojnë popullin tonë, nuk do të ketë ndalesë, stop me mua”, tha Vuçiq. Por, presidenti serb në fund të fundit e di se, siç tha vetë, “çdo konflikt (me Kosovën) është konflikt me NATO-n”.

“Kjo duhet mbajtur parasysh”, theksoi ai.

Kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, bashkë me serbët në disa institucione të vendit, kishin dhënë dorëheqje në shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrim e automjeteve me targa ilegale serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme fillimisht u planifikua të mbaheshin më 18 dhjetor të vitit të kaluar, mirëpo me rekomandimin e ndërkombëtarëve, ato u shtynë mes incidenteve të shkaktuara.

Bashkimi Europian dhe vendet e grupit QUINT – Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Franca dhe Gjermania – nuk kanë kërkuar më që zgjedhjet të shtyhen. Ato këtë herë vetëm kanë shprehur keqardhje pse Lista Serbe që ka marrë mbi 90 për qind të votave nga komuniteti serb dhe që mbështetet nga Beogradi, nuk e ka shfrytëzuar të drejtën për të marrë pjesë në zgjedhje./PrishtinaPress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img