Gjykata Themelore në Ferizaj njoftoi të premten se ka caktuar masën e paraburgimit kundër të pandehurit A.L., shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale falsifikimi i parasë.
Sipas njoftimit të gjykatës, i njëjti dyshohet se ka transportuar nga Maqedonia 10 mijë euro të falsifikuara me qëllim për t’i bënë në qarkullim si të vërteta.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Ilir Bytyqi, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri A.L, më datë 13 prill 2023, (dyshohet në vazhdimësi) në Ferizaj në bashkëkryerje edhe me të pandehurit T.L., Q.K., A.A., L.L. dhe V.F., me dashje dhe me qëllim që vetes t`i sjellin dobi të kundërligjshme pasurore, transportojnë para të falsifikuara nga Republika e Maqedonisë për në Republikën e Kosovës, përmes pikës kufitare, me qëllim që t’i vënë në qarkullim si të vërteta, në atë mënyrë që fillimisht paratë e falsifikuara i sjellin nga Republika e Maqedonisë, më pastaj i shpërndajnë duke i vënë në qarkullim në qytete të ndryshme të Republikës së Kosovës, ndërsa me datë 13 prill 2023, në magjistralen Ferizaj – Kaçanik, në parkingun e një restoranti, me aplikimin e masave të veçanta hetimore, i pandehuri arrestohet nga Policia e Kosovës pas shkëmbimit të shumës së parave të dyshuara si të falsifikuara prej dhjetëmijë (10.000) € të cilat edhe sekuestrohen”, thuhet në komunikatën për media.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.