Pas humbjes së madhe 3-0 kundër Manchester Cityt në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve, Bayern Munichut i erdhi një stuhi me përballjen mes Sadio Mane dhe Leroy Sane dhe pasojat e saj të mëvonshme.
Tani, pasi u bë i ditur sanksioni i Bayernit ndaj senegalezit (gjobë dhe mungesa e sulmuesit këtë fundjavë, kundër Hoffenheim), ka folur trajneri Thomas Tuchel.
“Kjo është rregulluar. Një lojë dhe një gjobë janë pasojat e asaj që ndodhi”, ka thënë fillimisht Tuchel duke iu referuar asaj që ndodhi mes Mane dhe Sane.
“Nuk e pashë sepse isha me stafin stërvitor. Sigurisht që menjëherë fola me të gjithë të përfshirët, lojtarët dhe stafin stërvitor”.
“Ne ishim të shqetësuar, ishte një incident flagrant. Ishte e rëndësishme që ta sqaronim çështjen përpara se të fillonim stërvitjen e radhës. E bëmë dje. Kemi sqaruar gjithçka që të stërvitemi sërish pozitivisht me njëri-tjetrin”.
“Mënyra se si e trajtuan të dy lojtarët e përfshirë dhe mënyra se si e trajtuan lojtarët e tjerë, pati një efekt pastrimi. Ne patëm një atmosferë pozitive dje dhe sot”.
Nga ana tjetër, Tuchel ka dashur të bëjë të qartë se do të donte që këto gjëra të mos dilnin nga dhoma e zhveshjes.
“Do të ishte mirë nëse diçka ndodh në dhomat e zhveshjes, ajo të qëndroj aty. Atëherë nuk do të duhej të diskutoni këtë tani. Ne të gjithë bëjmë gabime. Sadio bëri një gabim. Por ai, si Leroy, veproi në një mënyrë shumë shembullore. Shpresoj që kjo të qëndrojë në dhomat e zhveshjes”
Tuchel mbron Manen
Përveç kësaj, trajneri i Bayernit ka dalë në mbrojtje të Mane. Këtë javë, thashethemet e shumta u ndezën në Gjermani për ish-lojtarin e Liverpoolit që nuk ka të ardhme në skuadrën bavareze.
“Jam i pari që e kam mbrojtur. E njoh prej kohësh dhe e njoh vetëm si profesionist total. E njoh edhe rrethin e tij. Nuk ka qenë kurrë fajtor për asgjë. Ai ka dalë kundër kodit të sjelljes, ai e kuptoi dhe kërkoi falje”, përfundoi trajneri gjerman.