-2.9 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Çfarë tregojnë dosjet e zbuluara të Pentagonit?

Një sasi e dokumenteve të klasifikuara amerikane të publikuara në internet, hedhin dritë të re mbi inteligjencën amerikane që mbledh informacione për vendet e tjera.

Imazhe të dokumenteve të fshehta janë shfaqur në aplikacionin e mesazheve Discord që nga fillimi i muajit mars i këtij viti.

Të kompletuara me afate kohore dhe dhjetëra akronime ushtarake, dokumentet, disa të shënuara si “tepër sekret”, paraqesin një pamje të detajuar të luftës në Ukrainë ndërsa ofrojnë edhe informacion mbi Kinën dhe aleatët.

Zyrtarët e Pentagonit citohen të kenë thënë se dokumentet janë reale.

BBC News dhe organizata të tjera lajmesh kanë shqyrtuar dokumentet dhe këto janë disa nga gjetjet kryesore.

Shefi i OKB-së ‘akomodues’ i Rusisë

SHBA besonte se qëndrimi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për një marrëveshje kyçe të grurit, po minonte përpjekjet për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për luftën në Ukrainë.

Antonio Guterres ishte i gatshëm që të mbështes interesat ruse, ku sipas dosjeve, Uashingtoni e ka monitoruar për së afërmi portugezin, transmeton Telegrafi.

Disa dokumente përshkruajnë komunikimet private që përfshijnë 73-vjeçarin dhe zëvendësin e tij.

Një dokument i zbuluar fokusohet në marrëveshjen e Detit të Zi mes ukrainasve dhe rusëve për grurin, i cili u ndërmjetësua nga OKB-ja dhe Turqia në muajin korrik, pas frikës së një krize globale ushqimore.

Ai sugjeron se Guterres ishte aq i prirur për të ruajtur marrëveshjen, saqë ishte i gatshëm të dorëzohej para kërkesave të Rusisë – një qëndrim që po “minonte përpjekjet më të gjera për ta mbajtur përgjegjëse Rusinë”.

Jordania kishte frikë nga hakmarrja kineze mbi Huawei

Ndërsa pjesa më e madhe e dokumenteve të zbuluara kanë të bëjnë, në një mënyrë ose në një tjetër, me luftën në Ukrainë, ka të tjera që prekin një gamë më të gjerë të çështjeve që nuk kanë lidhje.

Shumë prej tyre hedhin dritë mbi disa nga preokupimet globale të Uashingtonit.

Ashtu si përhapja dhe qëllimi i teknologjisë kineze.

Tre dokumente të bazuara në inteligjencën detajojnë diskutimet midis zyrtarëve të lartë jordanez nëse duhet t’iu ndalohet kompanive kineze apo Hauweit të shpërndajnë rrjetin 5G.

Princi i kurorës i Jordanisë, Hussein, i ngarkuar me prezantimin, thuhet në dokument se ishte i shqetësuar me hakmarrjen e mundshme të kinezëve nëse e mbajnë jashtë Huawein.

As ky nuk është i vetmi vend ku zbulohet frika për teknologjinë kineze.

Një tjetër dokument i shënuar top-sekret trajton “zhvillimin e aftësive të sulmit kibernetik” të Kinës. Ai thotë se këto janë krijuar “për të mohuar, shfrytëzuar lidhjet dhe rrjetet satelitore si pjesë e strategjisë së saj për të kontrolluar informacionin, të cilin ajo e konsideron si një fushë kyçe luftarake”.

Mosmarrëveshje në Rusi rreth numrit të viktimave në Ukrainë

Dokumentet e sapo zbuluara sugjerojnë se zyrtarët rusë nuk po mund të merren vesh rreth raportimit të viktimave.

Agjencia kryesore e inteligjencës, FSB, ka “akuzuar” ministrinë e Mbrojtjes së vendit për minimizimin e numrit të ushtarëve të vdekur.

Këto gjetje tregojnë shkallën në të cilën agjencitë amerikane kanë depërtuar në inteligjencën dhe ushtrinë ruse.

Forcat speciale perëndimore që veprojnë brenda Ukrainës

Një dokument, i datës 23 mars, i referohet pranisë së një numri të vogël të forcave speciale perëndimore që veprojnë brenda Ukrainës, pa specifikuar aktivitetet apo vendndodhjen e tyre.

Britania e Madhe ka kontingjentin më të madh prej 50 personave, e ndjekur nga Letonia (17), Franca (15), SHBA (14) dhe Holanda (1).

Qeveritë perëndimore zakonisht përmbahen nga komentimi për çështje të tilla të ndjeshme, por ky detaj ka të ngjarë të shfrytëzohet nga Moska, e cila muajt e fundit ka argumentuar se nuk po përballet vetëm me Ukrainën, por edhe me NATO-n.

Dokumentet e tjera zbulojnë se kur një duzinë brigadash ukrainase – duke u përgatitur për një ofensivë që mund të fillojë brenda javësh – do të mund të nisin kundërsulmin. Ata rendisin, me shumë detaje, tanket, mjetet e blinduara dhe artileritë që ofrohen nga aleatët perëndimorë të Ukrainës.

Një hartë përfshin afatet kohore që vlerësojnë kushtet e tokës në të gjithë Ukrainën lindore ndërsa pranvera po përparon.

SHBA zbeh shpresat për ofensivën e Ukrainës

Sipas gazetës Washington Post, një dokument nga fillimi i shkurtit shpreh dyshime se Ukraina mund të ketë sukses me kundërsulmin e ardhshëm, duke thënë se problemet me gjenerimin dhe mbajtjen e forcave të mjaftueshme mund të rezultojnë në “fitime modeste territoriale”.

Vështirësitë e Ukrainës në ruajtjen e mbrojtjes ajrore të saj jetike gjithashtu janë analizuar, me paralajmërimet nga fundi i shkurtit se Kievit mund t’i mbarojnë raketat.

Janë renditur edhe shifrat e viktimave. Një i referohet rreth 223 mijë ushtarëve rusë të vrarë ose të plagosur dhe deri në 131 mijë ukrainas.

Disa zyrtarë ukrainas i kanë hedhur poshtë rrjedhjet, duke sugjeruar se ato mund të përbëjnë një fushatë dezinformimi ruse. Por ka edhe shenja zhgënjimi dhe zemërimi.

Një këshilltar presidencial, Mykhailo Podolyak, shkroi në Twitter se “ne kemi nevojë për më pak soditje të informacioneve dhe më shumë armë me rreze të gjatë në mënyrë që të përfundojmë siç duhet luftën”.

Egjipti planifikonte fshehurazi ta furnizonte me raketa Rusinë

Washington Post kishte qasje në një dokument tjetër nga mesi i shkurtit, ku zbuluan se Egjipti planifikonte të prodhonte në fshehtësi 40 mijë raketa për Rusinë.

The Post tha se presidenti, Abdul Fatah al-Sisi u tha zyrtarëve që të mbanin sekret prodhimin dhe dërgesën “për të shmangur problemet me Perëndimin”.

Një zyrtar citohet të ketë thënë se ai do të “urdhërojë njerëzit e tij të punojnë me turne nëse është e nevojshme, sepse kjo ishte gjëja më e vogël që Egjipti mund të bënte për t’i paguar Rusisë për ndihmën e papërcaktuar më herët”.

Është e paqartë se çfarë i referohet ndihma e mëparshme. Në muajin janar, reuters raportoi se pjesa e Rusisë në importet e grurit egjiptian ishte rritur në vitin 2022, duke ofruar një shpjegim të mundshëm.

Nuk ka asnjë indikacion që Egjipti – një marrës i ndihmës së sigurisë së SHBA-së, me vlerë rreth 1 miliard dollarë në vit – vazhdoi me shitjen e propozuar në Rusi.

Një zyrtar i paidentifikuar e përshkroi pretendimin si “krejt të pabazë” dhe tha se Kajro nuk mori anë në luftë.

Kremlini e quajti atë “vetëm një tjetër gënjeshtër” dhe Shtëpia e Bardhë tha se nuk kishte “asnjë indikacion” që Egjipti po i siguronte Rusisë armë vdekjeprurëse.

Koreja e Jugut është e shqetësuar për dërgimin e armëve në Ukrainë

Një dokument i klasifikuar, i parë nga BBC, zbulon se Koreja e Jugut ishte e shqetësuar për shitjen e armëve të përdorura në Ukrainë.

Raporti, i bazuar në inteligjencën e sinjaleve, detajon një bisedë të ndjeshme midis këshilltarëve të sigurisë kombëtare.

Ata janë të ndarë mes presionit të SHBA-së për të dërguar municion në Ukrainë dhe politikës së tyre për të mos armatosur vendet në luftë.

Një nga këshilltarët sugjeron dërgimin e predhave në Poloni, për të mos u dukur se po i dorëzon SHBA-ja.

Si pjesë e një marrëveshjeje furnizimi të vitit të kaluar, Seuli këmbënguli që SHBA nuk mund t’i dërgonte predha Ukrainës. Seuli ka hezituar të armatosë Ukrainën, nga frika e antagonizimit të Rusisë.

Rrjedhja ka shkaktuar shqetësime për sigurinë në Seul, me politikanët e opozitës që pyesin se si SHBA ishte në gjendje të përgjonte një bisedë të tillë të nivelit të lartë.

Kina kreu teste eksperimentale të armëve

Washington Post zbuloi gjithashtu se Pekini testoi një nga raketat eksperimentale – automjetin me rrëshqitje hipersonike DF-27 – më 25 shkurt.

Raketa fluturoi për 12 minuta në një distancë prej 2100 kilometra, sipas dokumenteve./PrishtinaPress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img