Këngëtarja Rita Ora, me origjinë nga Kosova e karrierë të zhvilluar në Britani të Madhe, është e ftuar speciale në Eurovision 2023.
Organizatorët kanë njoftuar se ylli i njohur botëror pritet të përformojë në gjysmëfinalen e parë të këtij edicioni, që do të mbahet me 9 maj.
Rita Ora do bëhet pjesë e festivalit për një performancë të veçantë, e cila pritet të jetë madhështore në skenën e Eurovision-it, që nikoqir këtë vit ka Britaninë e Madhe, përkatësisht Liverpoolin.
Ajo do të performojë disa nga hitet e saj më të mëdha, si dhe do ta debutojë këngën e saj më të re, të titulluar Praising You.
Përkrah Rita Orës, të ftuara speciale janë edhe Julia Sanina, Rebecca Ferguson, Alyosha, dhe Maria Yaremchuk.
Kujtojmë se vitin e kaluar, festivalin e fitoi Ukraina mirëpo për shkak të kushteve të vështira atje, Britania e Madhe u zgjodh nikoqire, e cila kishte zënë vendin e dytë.
Kosovës ende nuk i lejohet pjesëmarrja në këtë festival, mirëpo, këtë herë, Albina Kelmendi me familjen e saj si dhe Rita Ora do të jenë zërat që do t’i përfaqësojnë kosovarët denjësisht.