Të shkëlqesh përpara syve të trajnerit të kombëtares do të thotë që e ke realizuar me sukses misionin tënd.
Gianni De Biasi i ndoqi nga afër, me Eros Grezdën e Endri Cekicin që nuk e zhgënjyen numrin 1 të stolit të Shqipërisë duke marrë në fund përgëzimet e trajnerit.
21-vjecari nga Gjakova i cili është grumbulluar në 2 sfidat e fundit të kombëtares nga De Biasi por nuk ka debutuar ende, ishte autori i asistit në golin e Endri Cekicit që i hapi rrugën fitores 2-0 të Lokomotivës së Zagrebit ndaj Osijek në kampionatin kroat.
Goli i parë me kokë i Endri Cekicit në Kroaci u vesh i gjithi me ngjyrat kuqezi pikërisht për kënaqësinë e De Biasit në tribunë. Në një lidhje direkte për emisionin Zona Gol në Supersport, të dy lojtarët nuk e fshehën lumturinë që për një natë u bënë protagonistë edhe në sytë e De Biasit.
Por çfarë u tha trajneri Cekicit dhe Grezdës, kjo është pyetja që u intereson të gjithëve.
Asnjë premtim nga trajneri i kombëtares kuqezi, megjithatë dy talentet shpresojnë se do të lenë shenjën e tyre edhe në ekipin përfaqësues në të ardhmen.
Por për ta bërë diçka të tillë, Grezda dhe Cekici e dinë që duhet të luajnë në një kampionat më të fortë se ai kroat dhe synimi i tyre i tillë është edhe pse kartonin e 20-vjeçarit nga Pogradeci e zotëron, Dinamo e Zagrebit ndërkohë që për Grezdën kanë shfaqur interes disa prej klubeve më të mëdha kroate.