Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Kokaj ka shprehur shqetësimin për cilësinë në arsim, duke marrë për shembull Universitetin e Bujqësisë në Tiranë, të cilin tha se e ka vizituar së fundmi bashkë me anëtarë tjerë të Komisionit parlamentar për Arsim.
“Vizituam edhe Universitetin e Bujqësisë. Në mesin e shumë universiteteve do me thënë – se ne kemi shumë universitete këtu në Ballkan, vetëm universitetin e pulave s’e kemi akoma. Dmth kemi shumë universitete në Ballkan”, tha Kokaj në seancën e sotme të Kuvendit.
Ai tha se rektori nuk kishte përgjigjje kur ishte pyetur për nivelin.
“Nuk e kam tha këtë orientim. Nuk e di çfarë niveli. Do me thënë është nivel pa nivel, s’ka kurrfarë niveli”, tregoi Kokaj.
Deputeti e quajti skandaloze këtë, duke thënë se nuk mund të doktorohet në çfarëdo mënyre.
“Ky degradim i thirrjes akademike me këta doktorantë e këta doktora, unë nga kjo foltore e quaj skandaloze. Skandaloze sepse nuk doktorohet kolegë të nderuar në këto banka ku jeni – me gjithë respektin sepse ju dua shumë të gjithëve – por njëri përgatit master, tjetri master, 15 doktoratura etj etj, kjo është lojë, mund të jetë lojë e fëmijëve”, tha Kokaj./PrishtinaPress/