-3.8 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Shteti kthen kontrollën e naftës në kufi

Që 16 vite institucionet kanë lejuar që në Kosovë të futet naftë pa u matur cilësia në kufi. E vetmja kontrollë që është kryer është ajo përmes trupave inspektuese të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, por kjo vetëm pasi nafta është futur në treg.

Krejt çka ka bërë kjo ministri, përgjegjëse për kontroll dhe mbikëqyrje të këtij sektori, janë disa certfikata për cilësi që për shoqatën e naftetarëve dhe njohes të sektorit, në shumë raste, kanë qenë fallco.

Është dashur që kjo çështje të përmendet si mangësi edhe në Raportin e Progresit për Kosovën, në mënyrë që institucionet me në fund të nisin ta marrin seriozisht këtë problem, shkruan Gazeta Fjala.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka nxjerrë Udhëzim administrativ përmes të cilit matjen e cilësisë se derivateve e bartë nga trupat inspektuese tek Dogana e Kosovës.

Pra tash e tutje kontrolla do të kryhet në kufi, pa pasur mundësi që njëherë nafta të futet në treg.

Ministrja Bajrami ka thënë për Gazetën Fjala se kjo kompetencë për kontroll i ka përkitur qysh herët Doganave edhe me Legjislacionin në fuqi, por nuk ka shpjeguar se pse nuk është bërë kjo më herët.

“Kompetenca e Doganës së Republikës së Kosovës për të kontrolluar produktet teknike, përfshirë edhe kontrollimin e cilësisë së naftës dhe produkteve të lëngëta të naftës është e paraparë edhe me Ligjin nr. 04/l-039 për Kërkesat Teknike për Produkte dhe Vlerësim të Konformitetit të Kodit Nr. 03/L-109 Doganor dhe i Akcizave në Kosovë”, ka theënë Bajrami.

Sipas saj, nxjerrja e Udhëzimit Administrativ nr. 01/2017 për Cilësinë e Karburanteve të Lëngëta të Naftës është bërë më qëllim të harmonizimit të legjislacionit sekondar me legjislacionin primar, vendosjes së ligjshmërisë në sektorin e kontrollimit të cilësisë së naftës, përmbushjes së obligimeve të Republikës së Kosovës të cilat rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe dokumentet tjera ndërkombëtare dhe në mënyrë që të krijohen mekanizma efikas për kontrollimin e cilësisë së naftës dhe produkteve të lëngëta të naftës.

Udhëzimi Administrativ nr. 01/2017 për Cilësinë e Karburanteve të Lëngëta të Naftës ka hyrë në fuqi me 22 shkurt 2017, kurse dispozitat në bazë të cilave Doganës e Republikës së Kosovës do të fillojë të ushtroj përgjegjësit e saj ligjore për kontrollimin e cilësisë së naftës dhe produkteve të lëngëta të naftës do të hyjnë në fuqi me 23 prill 2017.

Kjo periudhë kalimtare prej 60 ditëve sipas Bajramit është paraparë në mënyrë që Dogana e Republikës së Kosovës  të ketë kohë të mjaftueshme  që t’i bëjë përgatitjet e duhura për ushtrimin e përgjegjësive të përcaktuara me legjislacion.

Gazeta Fjala, ka kërkuar përgjigje nga zyrtarët përgjegjës të Doganave të Kosovës lidhur me përgattitjet për të mrrë përsipër zbatimin e udhëzimit të ri, por ata nuk kanë ofruar të dhëna.

Berjani: Deri tani janë lëshuar certifikata fallco

Kreu i Shoqatës se Naftetarëve, Fadil Berjani, ka mirëpritur këtë vendim të ministres Bajrami, ndonëse ka thënë se kjo ka qenë kërkesë e kahmotshme e shoqatës, por që nuk është marrë parasysh.

Ai ka theksuar se në mungesë të kontrollit në kufi, në Kosovë ka hyrë naftë e dyshimtë falë edhe Trupave inspektuese të MTI-së, që sipas tij në shumë raste kanë lëshuar certifikata fallco.

“Ne shoqata kemi kerkuar që trupat inspektuese të hiqen qysh në kohen kur ka qenë ministresh Mimoza Kusari-Lila ku ka pas një monopol dy vjeqar”.

Sipas tij deri më tani, ka operuar vetëm një operator dhe vetëm i kanë lexuar letrat, dhe kanë lëshuar certifikatën konform pa i testuar cilësinë e karburantëve që do të thotë se certifikatat thotë se i kanë lëshu fallco.

“Me presionin tonë MTI në kohën e Mimozes ka sjellë katër trupa inspektuse ku ato vetëm i lexojnë letrat dhe lëshojnë certifikatat pa e kontrollu cilësinë duke lëshuar certifikata fallco pa teste laboratorike”, thotë Berjani.

Ai tregon se si Shoqatë ka kohë që kanë kërkuar që këtë punë ta kryejë Dogana e Kosovës dhe cilësia e derivateve të matet me teste laboratorike gjatë importit e jo vetëm të lexohen letrat e të lëshohet certifikata.

Megjithatë, edhe pas kësaj Shoqata e Naftëtarëve nuk është e kënaqur plotësisht.

“Ne kem kerku që Trupat inspektuse të largohen, sepse ministresha Bajrami po manipulon me opinjonin se me udhëzimin e ri administrativ trupat inspektuse janë larguar nga kufiri ndërsa ato i kanë lënë në monitorim te brendshëm që është barrë për bizneset dhe është një kosto e lartë. Ne kem kerku dhe qendrojmë prapa kërkesës që Trupat inspektuse duhet të largohen me ligj”, ka thënë Berani.

Ndryshe, në raportin e fundit të progresit, Kosova ka marr vërejtje për këtë sektor, sidomos tek mungesa e mekanizmave adekuat për kontrollë dhe cilësi të derivateve që futen në Kosovë. /Gazeta Fjala/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img