Kosova e ka blerë vilën e komedianit të njohur britanik, Spike Milligan në Londër me një çmim prej rreth 7.4 milionë eurosh, për ta vendosur ambasadën e saj në të. London Post i ka kushtuar një shkrim të gjatë kësaj vile luksoze dhe të madhe, të cilën e quan “shtëpia e komedisë”.
Sipas mediumit, në të kanë shkruar skripta /tekste për shfaqje televizive e radioje të famshmit Spike Milligan, Eric Sykes, Peter Sellers, Terry Nation dhe të tjerë.
Varësisht nga marrëveshja e shitblerjes, prona 530 m2, mund të kthehet sërish në një shtëpi me gjashtë dhoma gjumi. Mirëpo, marrë parasysh se ajo tani do të shfrytëzohet për ambasadë, nuk dihet se si do të duket pas renovimit.
Prona mund të bëhet me një sallë hyrëse të bollshme, sallë të brendshme, dhomë ngrënie, kuzhinë/dhomë mëngjesi dhe dhomë të veçantë shërbimi në katin e parë. Ish-zyrat e Eric dhe Spikes në katin e parë mund të shndërrohen në dy dhoma pritjeje të mëdha, shkruan London Post.
Tutje thuhet se kati i dytë do të bëhej suita kryesore me një dhomë gjumi, dhomë të zhveshjes dhe banjë luksoze prej mermeri. Do të kishte katër suita të tjera dhoma gjumi, secila me dhoma të zhveshjes dhe banjo, në dy katet më të larta.
Kati i poshtëm përdhes mund të ofrojë një dhomë kinemaje dhe një apartament studio të veçantë për personelin, me dhomë gjumi, kuzhinë dhe banjë, ose një dhomë gjumi për stafin dhe një studio fitnesi.
Ambasada e Kosovës tashmë është në pritje që pas renovimeve që do të bëhen, për t’iu përshtatur nevojave të ambasadës, të vendoset në objektin e ri, i cili do të jetë edhe pronë dhe pasuri e Republikës së Kosovës.