-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Buy now

spot_img

Haradinaj thotë se Qeveria Kurti mashtroi qytetarët për buxhet dhe propagandoi për punësime

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, po thotë se Qeveria Kurti po i mashtron qytetarët sa i përket situatës ekonomike në raport me buxhetin e shtetit, përfshirë edhe çështjen e punësimeve.

Njëherit edhe kryetar i AAK-së, Haradinaj ka rënditur disa detaje, për të cilat thotë se janë shifra që vënë në pah, manipulimet e qeverisë që po e drejton, Albin Kurti.

Shifrat që shpërfaqin mashtrimin e qeverisë!

Janë të rralla rastet kur në kohë krize, ekonomike, sociale e shëndetësore, shtetit t’i teprojnë para, ose edhe të mos i mbledh as të hyrat e parapara për buxhetin e vet.

Kështu psh, qeveria ka paraparë që për vitin 2022 t’i shpenzojë rreth 3 miliardë e 159 milionë euro, por i ka shpenzuar vetëm 2 miliardë e 625 milionë. Dmth i kanë tepruar hiç më pak se 533 milionë e 862 mijë euro, pjesa më e madhe prej të cilave në investimet kapitale.

Me buxhetin e vitit 2022, për investime kapitale ishin paraparë 698 milionë euro e janë realizuar 422 milionë. Dmth 280 milionë më pak. Për dy vjet kësaj qeverie i kanë mbetur të pashfrytëzuara 478 milionë, vetëm nga investimet kapitale. Kjo dmth se është investuar më pak, është punuar më pak, është fituar më pak. Gjithçka më pak, vetëm se qytetari është varfëruar më shumë.

Këto 478 milionë të taksapaguesve nuk u janë kthyer atyre, por janë ruajtur në “bunkerin financiar” të qeverisë dhe kjo në kohën më të keqe, jo vetëm për shkak të krizës ekonomike sociale, por edhe të inflacionit që ka mbërritur në pothuaj 20 përqind.

Për të qenë tablloja edhe më e zezë, prej këtyre 422 milionëve të investimeve kapitale, rreth 24 milionë janë pagesa ndëshkimore pa kurrfarë përfitimi, 88 milionë avanse për punë që as që kanë filluar, 16 milionë për mirëmbajtje, 17 për ndërtesa administrative e kështu me radhë… Dmth rreth gjysma e kësaj shume (diku rreth 210 milionë) të investimeve kapitale, janë sikur të mos kishin ndodhur fare sepse s’kanë patur asnjë efekt në zhvillimin ekonomik.

Ka pasur propagandë të tmerrshme edhe në fushën e punësimit. Njëri thoshte se janë punësuar mbi 20 mijë persona e tjetri ia kalonte…

Por faktet flasin ndryshe!

Me Ligjin per Buxhetin 2022 janë paraparë që në sektorin publik mund të figuronin 87 mijë e 311 të punësuar, kurse për këtë vit kanë qenë 7225 veta më pak, nga sa lejonte buxheti. Kjo do të thotë se kjo qeveri nuk e ka realizuar planin e punësimit as aq sa ia lejonte buxheti i paraparë.

Këta edhe fondin e pagave e kanë pasur për 8 milionë euro më pak se në vitin 2020. Por kjo është shuma nominale, sepse nëse asaj ia kalkulojmë rritjen e çmimeve dhe inflacionin për vitin 2021 dhe 2022, del se të punësuarit në sektorin publik për vitin 2022, në vlerë reale janë paguar përreth 100 milionë më pak.

Qeveria përpos që nuk ka shpenzuar aq sa e ka pasur buxhetin dhe aq sa ka paraparë, ajo ka shënuar dështime edhe në grumbullimin e buxhetit. Kështu psh, nga të hyrat e parapara buxhetore për vitin 2022, në shumë prej mbi 3 miliardë eurosh, janë realizuar 382 milionë më pak.

Është e pakuptueshme se si i ka dalë kjo matematikë qeverisë, sepse krahasuar me vitin paraprak, importet për vitin 2022 janë rritur për afro një miliard, kurse eksportet përreth 165 milionë. Në total i bie që deficiti tregtar ka shënuar rritje për 790 milionë. Kjo i bjen që të jenë vjelur taksa më shumë, por buxheti ka mbetur mangut për 382 milionë. Kjo kërkon shpjegim!

Në këto matematikat buxhetore financiare të Qeverisë, ka edhe një anomali tjetër. Derisa mallrat që kanë hyrë në Kosovë kanë shënuar rritje për 20%, të hyrat nga doganat janë rritur vetëm për 6.4 %, ose akciza për vetëm 3.2 %. Kjo dmth se ose ka rënë kontrolli doganor, ose është rritur kontrabanda në kufi dhe krimi i organizuar.

Në këtë qeveri, po ka pasur disa rritje.

Janë rritur shpenzimet në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve, prej 280 milionë sa ka qenë në vitin 2021 në 333 milionë në vitin 2022; Shpenzimet e udhëtimit jashtë vendit prej 3 milionë e 182 mijë eurosh sa ka qenë në vitin 2020, janë rritur në 8 milionë e 185 mijë në vitin 2022; Janë rritur edhe udhëtimet brenda vendit, nga 1 milionë e 73 mijë euro për vitin 2020 në 2.199 mijë; Karburantet për vetura zyrtare nga 6 milionë e 613 mijë në 2020 janë rritur në 11 milionë e 342 mijë euro në 2022. Edhe drekat zyrtare poashtu.

Që të mos dalë se kjo qeveri ka pasur vetëm rënie. Ka pasur edhe rritje, në luksin e qeverisë, për të cilin na ka pasë folur aq shumë Albin Kurti!

Dhe krejt këto që i paraqita më sipër, janë nga të dhënat zyrtare të Qeverisë, sepse e vërteta e plotë do të dalë vetëm pas raportit të Auditorit Gjeneral për buxhetin e vitit 2022 dhe ajo ka mundësi të dalë edhe më e hidhur.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img