-0.8 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Buy now

spot_img

Zbulohen lidhjet e kumbarës së Vuçiqit me kriminelin serb të përfshirë në tregtinë ndërkombëtare të drogës

Nikola Petroviq, kumbari i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe një nga njerëzit më të fuqishëm atje, bashkëpunoi në biznes me Dejan Stanimiroviqin i njohur ndryshe si Markos, një kriminel i përfshirë në kontrabandën ndërkombëtare të drogës, zbulon rrjeti serb i hulumtimit – KRIK. Stanimiroviq u vra në vitin 2020 në Kolumbi, në shtëpinë e Jose Vicente Rivera Mendoza, i njohur si Soldier – ish-kreu i grupit paraushtarak “Heroes del Llano” dhe një bos i dyshuar droge. Kumbari i presidentit serb pohon për KRIK se ai e kujton ish-partnerin e tij të biznesit si karateist dhe se kanë humbur kontaktet 16 vite më parë.

Kur Kolumbia mbylli kufijtë e saj në pranverën e vitit 2020 për shkak të pandemisë së koronavirusit, ish-kampioni i karatesë Dejan Stanimiroviq, i njohur ndryshe si Markos, e gjeti veten duke vizituar kreun e grupit paraushtarak Jose Vicente Rivera Mendoza.

Rivera priti Stanimiroviqin në shtëpinë e tij në qytetin e vogël Gvamal, rreth katër orë me makinë nga kryeqyteti Bogota. Ai ka festuar ditëlindjen e njerkut të tij më 31 mars 2020 dhe atë ditë ka pirë alkool për orë të tëra me një mysafir nga Serbia. Festa, megjithatë, përfundoi me gjakderdhje në të cilën të dy u vranë. Stanimiroviq e vrau Riverën, kurse njerëzit e kolumbianit vranë serbin, thuhet në dokumentacionit që posedonte KRIK.

Markos në Beograd

Të dy kishin një gjë të përbashkët: policia dyshonte se ishin të përfshirë në kontrabandën e kokainës. Mirëpo, edhe sot e kësaj dite nuk dihet pse Stanimiroviq e vizitoi Riverën, çfarë marrëdhëniesh kishin dhe pse u konfliktuan në natën e kobshme.

Mirëpo, ky nuk është sekreti i vetëm që Stanimiroviq e mori në varr.

Stanimiroviq, i cili sipas Europolit ishte i përfshirë në kontrabandën ndërkombëtare të drogës, kishte lidhje biznesi me një nga njerëzit më të fuqishëm në Serbi. Gazetarët e KRIK dhe OCCRP zbuluan se Stanimiroviq kishte një kompani të përbashkët me Nikola Petroviqin, kumbarën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Të dy ishin bashkëpronarë të kompanisë së telekomunikacionit “Bel Mobile”. Nuk dihet se si lindi ky partneritet biznesi, i cili zgjati gjashtë vjet – kompania u mbyll në vitin 2010.

Petroviq nuk ua ka shpjeguar detajet gazetarëve të KRIK-ut, por shkurtimisht ka deklaruar se në atë kohë Stanimiroviq ishte një sportist i suksesshëm.

“Zotëria që ju përmendni ishte kampion bote në karate në kohën kur ne punonim bashkë në biznes. Me të vërtetë nuk e di se çfarë ndodhi me të pas kësaj, sepse nuk e kam parë që nga viti 2007. Nuk e kam ditur as që, siç thoni ju, është vrarë”, ka deklaruar Petroviq – edhe pse lajmi për vdekjen e Stanimiroviqit ka dalë me muaj në mediat vendase.

Kumbari i presidentit serb akuzoi gazetarët për përndjekjen e tij.

“Deri më tani jeni marrë me periudhën deri në vitin 2012, duke i lidhur të gjitha ngjarjet e biznesit dhe jetës sime private me ardhjen në pushtet të Aleksandër Vuçiqit, dhe tani keni filluar të arrini më tej në të kaluarën, kështu që nuk do të habitesha nga pyetjet që kanë të bëjnë me njohuritë tuaja për keqbërjen time në grupin e kopshtit apo për njohjet me drejtues të komprometuar pionierë”, ka thënë Petroviq në një përgjigje me shkrim.

Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që gazetarët zbulojnë partneritetet e biznesit të kumbarit të presidentit serb me persona të dyshuar si të përfshirë në krim.

Vuçiq dhe Petroviq

Dy vjet më parë, OCCRP dhe KRIK zbuluan se Petroviq e bleu linjën ajrore nga Stanko Subotiq – një biznesmen kontrovers që bënte biznes me bosin e dënuar të drogës Darko Shariq. Organizata e lajmeve BIRN publikoi foto të Petroviqit duke përqafuar Zvonko Veselinoviqin, kriminelin më me ndikim serb nga veriu i Kosovës të cilin aktualisht po e mbron shteti serb dhe Vuçiqi.

Në Serbi, kufijtë midis krimit të organizuar dhe politikës janë të paqarta në atë masë saqë është e vështirë të dallohen politikanët dhe nëpunësit civilë nga kriminelët, thotë për KRIK Bojan Elek, zëvendësdrejtor i Qendrës së Beogradit për Politikat e Sigurisë (BCBP).

“Lidhjet midis njerëzve në pushtet dhe krimit të organizuar në Serbi janë një faktor kyç që pengon zhvillimin dhe demokratizimin e vendit në tridhjetë vitet e fundit,” thotë Elek. “Këto lidhje minojnë përpjekjet e organeve shtetërore në luftën kundër krimit të organizuar dhe minojnë besimin e publikut tek institucionet dhe demokracia.

Nikola Petroviq i përket një rrethi të ngushtë njerëzish të besuar nga presidenti Aleksandar Vuçiq, gjë që e bën atë një nga njerëzit më të fuqishëm në vend.

Me kalimin e viteve, fuqia dhe pasuria e tij u rritën paralelisht me karrierën e kumbarit të tij – menjëherë pasi Vuçiq erdhi në pushtet në vitin 2012, Petroviq u emërua në postin e drejtorit të “Elektromrezha Srbije”, një kompani shtetërore fitimprurëse e angazhuar në transmetimit të energjisë elektrike.

Pas largimit nga detyra në fund të vitit 2016, Petroviq iu përkushtua biznesit privat në të njëjtën zonë. Ai e rriti pasurinë falë faktit që çdo vit nga buxheti i shtetit derdhen miliona euro në llogaritë e kompanive të tij, sepse shteti e blen energjinë nga kompanitë e tij.

Në të njëjtën kohë me biznesin e tij të dukshëm në Serbi, ai themeloi kompani sekrete offshore jashtë Serbisë.

Disa nga punët e tij të fshehura u ekspozuan nga gazetarët e OCCRP dhe KRIK. Kështu, në hulumtimin ndërkombëtar gazetaresk “Open Luxembourg”, gazetarët zbuluan se Petroviq hapi një kompani në Luksemburg në janar 2019, përmes së cilës filloi bizneset në Serbi – prodhimin e energjisë diellore./PrishtinaPress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img