4.9 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Pse Mahmut Bakalli gjithmonë deklarohej kundër demonstratave të vitit 1981!?

  • Tito me shqiptarë e fortë të ish-Jugosllavisë: Xhavit Nimani, Mahmut Bakalli dhe Fadil Hoxha

Ju kemi shpjeguar demonstruesve se ndryshimet kushtetutare nuk mund të bëhen në rrugë, por ata nuk pranonin as të hyjnë në ndonjë sallë për dialog. Koha kur ngjanë demonstratat ishte më e pavolitshmja për të hapur apo zgjidhur një çështje të tillë, sidomos jo për zgjidhje me trazira të rrugës… Kështu ka thënë 16 vite më parë në një deklaratë për Javoren Politike Shqiptare “Zëri”, ish-lideri komunist i Kosovës, Mahmut Bakalli (1936-2006), që pas lufte i bashkohet AAK-së, duke qenë deputet i Kuvendit të Kosovës në vitet 2001-2004. Mendimin e tij për demonstratat e vitit 1981, të shprehura atëherë, Telegrafi i risjellë më poshtë.

Çdo veprim dhe demonstrim politik duhet vlerësuar nga efektet që kanë e jo vetëm nga motivet. Edhe sot ekzistojnë diferenca në vlerësimet e demonstratave të vitit 1981. Ato duhet vlerësuar drejt dhe gjithanshëm.

I KAM GJYKUAR MASAT BRUTALE TË POLICISË

Ngjarjet e vitit 1981 në Kosovë do të ngelin ngjarje e rëndësishme në historinë e Kosovës dhe të popullit tonë, sepse demonstratat ishin masive me kurorëzimin e kërkesave për republikën e Kosovës si shprehje e synimeve shekullore të popullit shqiptar. Besoj se kjo i ka befasuar edhe vetë inspiratorët dhe organizatorët e atyre ngjarjeve, të cilët kanë pasur motive dhe qëllime të ndryshme ideologjike dhe politike, të cilat iu kanë dështuar.

Unë mendoj se ato demonstrata nuk na janë nevojitur dhe kanë ndodhur në kohën më të pavolitshme për Kosovën, prandaj i kanë bërë më shumë dëm Kosovës dhe popullit shqiptar, sesa dobi. Filluan si demonstrata sociale lidhur me pakënaqësinë me ushqimin në restorantin e studentëve, me të drejtë, sepse në Qendrën e studentëve ka pasur të meta dhe nuk ka pasur ndikim të nevojshëm të studentëve. Ato të meta është dashur të zgjidhen. Por, protestat morën përmasa të mëdha dhe karakter politik, pasi që disa grupacione nga ilegalja shqiptare, e frymëzuar dhe e dirigjuar edhe nga jashtë, u vunë në ballë të demonstratave duke e imponuar edhe violencën dhe parullën e ndieshme kombëtare për republikën e Kosovës.

Në këtë punë u përzien edhe shumë forca tjera politike dhe destruktive joshqiptare. Nën parullën për republikën e Kosovës demonstratat morën përmasa të gjera dhe dolën jashtë kontrollit, me çrast fatkeqësisht pati edhe viktima dhe të burgosur. Veprimet e policisë së Serbisë, të ardhura në Kosovë me anë të federatës dhe me vendimet e udhëheqësisë federative ndaj demonstruesve dhe ndaj popullit, ishin vërtet brutale. Brutale ishin sidomos veprimet e njësisë speciale të federatës më 26 mars, kur sulmuan dhe rrahën në konviktet e studentëve shumë të rinj dhe të reja.

Të nesërmen, në mbledhjen e Komitetit krahinor ashpër e vlerësova dhe i gjykova ato masa brutale të policisë, propozova dhe u konkludua që të krijohet një komision shtetëror kosovar për të vlerësuar keqpërdorimet e autorizimeve të asaj policie. Më vonë ngjarjet morën kah të komplikuar dhe më duket se ai komision nuk ka punuar fare. Isha, si thoni ju, i befasuar jo për të metat në Qendrën e Studentëve dhe për demonstratat sociale, jo për aktivizimin e militantëve të grupeve të ndryshme, por për përmasat e gjera që morën demonstratat duke u mashtruar se me demonstrata violente në rrugë mund të zgjidhet çështja e synimit tonë për republikën e Kosovës.

PROPAGANDA SERBE MË AKUZONTE SI INSPIRATOR TË DEMONSTRATAVE

Ju kemi shpjeguar demonstruesve se ndryshimet kushtetutare nuk mund të bëhen në rrugë, por ata nuk pranonin as të hyjnë në ndonjë sallë për dialog. Koha kur ngjanë demonstratat ishte më e pavolitshmja për të hapur apo zgjidhur një çështje të tillë, sidomos jo për zgjidhje me trazira të rrugës. Sepse, në atë kohë, një vit pas vdekjes së Titos, bëheshin shumë kalkulime dhe projekte për ardhmërinë e Jugosllavisë, sidomos tek shumë çarqe në Serbi të cilat futnin një atmosferë nervoze dhe konfliktuoze, ndaj priteshin dhe ndjellëshin trazirat në Kosovë me qëllim që në Jugosllavi të rikthenin sistemin unitarist me sundimin e Serbisë në Jugosllavi, ose të krijojnë Serbinë e Madhe në mbeturinat e Jugosllavisë – nëse ajo shkatërrohet. Por, tërë këtë në Serbi e bënin në fshehtësi të thellë, pa zë dhe pa demonstrime publike, por me platformë më parë të definuar në “Librin e Kaltër”, e më vonë edhe me Memorandumin e Akademisë Serbe të Shkencave, por tash duke i përgatitur dhe involvuar edhe forcat ushtarake të Jugosllavisë.

Është e qartë se Jugosllavinë e Titos nuk e rrënuan as demonstratat e shqiptarëve, as separatizmi slloven, kroat, boshnjak apo maqedonas, por atë e rrënuan forcat hegjemoniste serbomadhe, kurse forcat shqiptare, kroate, boshnjake dhe sllovene vetëm u vënë në pozitë të mbrohen dhe të kërkojnë ndarjen nga Serbia për t’u mbrojtur nga synimet e saja hegjemoniste, e cila me Milosheviqin dhe ushtrinë jugosllave, u dirigjua nga ai, haptazi filluan luftërat e ndyta dhe tragjike, që u zhvilluan gadi në tërë Jugosllavinë.

Politika dhe propaganda serbe tentonte të më akuzonte se kinse unë isha inspirator apo përkrahës i demonstratave të vitit 1981, me qëllim që të shpartallojë kreun politik të Kosovës dhe kështu të nxjerr përfitime serbomadhe nga këto demonstrata. Unë isha vetëm kundërshtar i qëndrimit që ato demonstrata të vlerësohen si “kundërrevolucion”, për arsye të pasojave të rënda, që do të dilnin për popullin dhe pozitën e Kosovës, por nuk kam qenë as inspirator as përkrahës i atyre demonstratave. Po ashtu, as publikisht as heshturazi nuk i kam përkrahur veprimet e ilegales së atëhershme shqiptare. Me kënaqësi sot përcjelli angazhimin e shumë ish-pjesëtarëve të atyre grupeve ilegale se si janë të angazhuar në proceset politike demokratike të Kosovës, në partitë politike, me një orientim të qartë transparent, demokratik dhe të mirëfilltë politik./telegrafi/PrishtinaPress.eu

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img