Analisti Lumir Abdixhiku ka reaguar ashpër ndaj Visar Ymerit e Donika Kadës së Vetëvendosjes, të cilët sot kanë injoruar himnin dhe simbolet e Kosovës. Abdixhiku në një status në Facebook ka thënë se shtetin e himnin e Kosovës e kanë nderuar shumë vende të botës. Siç ka thënë ai shteti do të mbijetojë me ose pa politikanë të tillë.
Ky është reagimi i plotë i Abdixhikut:
Shtetin e himnin e Kosovës e kanë nderuar një gardë ushtarake në mes të Rusisë. E kanë nderuar sportistë, atletë e të tjerë – në Rio, Paris, Madrid, Stamboll e gjithandej nëpër botë.
Shtetin e Kosovës do ta nderojnë të tjerë plot. Do ta nderojnë sepse vajzat e djemtë më të mirë tanë, do të kujdesen për këtë. Çfarë disa politikanë të përkohshëm e aksidental bëjnë hiç s’ka rëndësi.
Për aq sa janë, deri sa të janë, simbolet përfaqësojnë Republikën. Shtetin tonë. E Republika, shteti ynë, do të mbijetojë me ose pa politikanë të tillë.