Gentrit Shala, djali i mjekut të UÇK-së, Hafir Shala, i cili 25 vjet më parë është zhdukur në rrethana të panjohura, ka rrëfyer për atë periudhë në një intervistë në Info Magazine në Klan Kosova.
Ai tutje ka treguar për momentet e fundit të veprimtarisë së babait të tij, duke u bazuar në të dhënat që i posedon familja e tij.
Shala ka thënë që babai i tij është arrestuar në Sllatinë nga Shërbimi Sekret i Serbisë.
“Babai, më 10 prill të vitit 1998 në orët e hershme të mëngjesit është nisur për Prishtinë. Në fshatin Sllatinë, ai është ndaluar nga forcat policore serbe, nga Shërbimi Sekret. Aty babai ka qenë në veturë së bashku me dy bashkërrugëtarë të tjerë. Sipas informatave që ka familja, ai është arrestuar me urdhër të vetë shtetit serb. Pastaj, është dërguar në stacionin policor 1 në Prishtinë, ku është marrë në pyetje dhe pastaj sipas dëshmitarëve thuhet se aq shumë ka pasë tortura të rënda sa që britmat e zërit të tij janë dëgjuar jashtë stacionit policor”, ka thënë Shala.