Mbi 40 minatorë të Minierës së Trepçës kishin mbetur të ngujuar për mbi 18 orë.
Në bazë të informatave të deritanishme theksohet se të njëjtin ishin ngujuar në horizontin e 11, e që është rreth 900 metra nën tokë.
Por ka pak minuta që tashmë ka përfunduar procesi i daljes jashtë të të gjithë minatorëve të ngujuar.
Lajmi.net mëson nga vendi i ngjarjes se të gjithë minatorët që kishin qenë të ngujuar janë jashtë dhe në gjendje të mirë shëndetësorë.
Pak më parë, kryetari i Sindikatës së minatorëve të Trepçës, Ibrahim Jonuzi, tha për lajmi.net se minatorët ishin ngujuar për më tepër se 18 orë.
Po ashtu ai theksoi se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë.
“Janë në gjendje të mirë shëndetësore, nuk kanë diçka. Përpos shqetësimeve dhe lodhjes për shkak të qëndrimit të gjatë në atë hapësirë ku ishin ngujuar”,tha ai.
Shkaku që çoi deri tek ngujimi i minatorëve ishte një problem që kishin me energjinë-elektrike, ku minatorët e ndërrimit të natës të cilët kanë filluar punën në ora 00:00 kanë mbetur të ngujuar deri në orët e sotme të pasdites.